Si në Pekin, ashtu edhe në Uashington, elitat janë të shqetësuara nga përparimi i shpejtë i teknologjisë. Sa më inteligjente bëhen modelet e IA-së, aq më jetike janë ato për përparimin ekonomik brenda vendit dhe peshën gjeopolitike jashtë tij.
Por, paralelisht rriten edhe rreziqet që paraqesin. Që nga krijimi i bombës atomike, Fuqitë e Mëdha nuk janë përballur me një dilemë të tillë.
Administrata e Trump-it po e kupton gjithnjë e më shumë këtë realitet. Ajo ka hequr dorë nga qasja laissez-faire (ndërhyrje minimale e shtetit) ndaj rregullimit të teknologjisë, pas përplasjeve të fundit me Anthropic, një laborator amerikan dhe po shqyrton mundësinë që modelet e reja të kontrollohen nga qeveria përpara publikimit.
Në prill, Anthropic tha se kishte krijuar Mythos, një model aq të aftë për të zbuluar dobësi në mbrojtjen kibernetike, sa nuk mund të publikohej për përdorim të gjerë. Amerika dhe rivalët e morën seriozisht këtë zhvillim.
Pas një skepticizmi fillestar, mediat shtetërore kineze vunë në dukje “aftësitë e paprecedenta për sulme kibernetike” të Mythos, ndërsa një transmetues rus e quajti atë “më të rrezikshëm se një bombë bërthamore”.
Frika se modelet gjithnjë e më të fuqishme mund të nisin sulme kibernetike, të projektojnë armë biologjike apo të dalin jashtë kontrollit njerëzor e ka bërë urgjente diplomacinë mbi IA-në.
Disa në Amerikë dhe Kinë po shqyrtojnë në heshtje nëse mund të bien dakord për vendosjen e kufijve mbrojtës për një teknologji që secila palë e konsideron thelbësore për të mposhtur tjetrën. Mosbesimi është i madh.
Asnjëra palë nuk dëshiron të ngadalësojë zhvillimin e vet dhe të rrezikojë t’i japë avantazh kundërshtarit.
Disa figura të teknologjisë në Amerikë mendojnë se të qenët i pari që ndërton një model IA-je vetëpërmirësues dhe rrjedhimisht gjithnjë e më të fuqishëm mund të krijojë avantazh të jashtëzakonshëm strategjik.
Ekspertët kinezë priren ta shohin IA-në si çelës për rritjen ekonomike: më shumë energji bërthamore sesa armë bërthamore.
Interesi
Amerika dhe Kina kanë një “interes të përbashkët” për sigurinë e IA-së, u tha Xue Lan pjesëmarrësve në një aktivitet në Kapitol, në fund të prillit.
Nëse një vend nuk është i sigurt, askush prej nesh nuk është i sigurt.
Xue dhe Yi Zeng, drejtuesi i Institutit të Sigurisë së IA-së në Pekin, kërkuan përpjekje globale për të rregulluar dhe madje për të ngadalësuar zhvillimin e IA-së.
Kjo përputhet me politikën kineze. Menjëherë pas shfaqjes së ChatGPT në vitin 2022, Kina nisi të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar për IA-në dhe krijimin e një organi të OKB-së.
Diplomatët kinezë kanë hedhur idenë e “pezullimit të përkohshëm” të zhvillimit të IA-së dhe argumentojnë se duhet të miratohen standarde globale për të garantuar që njerëzit të mbeten në kontroll.
Plani i tyre kërkon që Perëndimi të ndajë teknologjinë e IA-së me vendet e varfra, në mënyrë që bota të mos ndahet mes vendeve që e zotërojnë teknologjinë dhe atyre që mbeten pas.
Një qasje dypalëshe duket më e mundshme dhe parapëlqehet nga zyrtarët në Uashington.
Së bashku, Amerika dhe Kina zotërojnë 90% të fuqisë kompjuterike më të avancuar në botë dhe për këtë arsye janë të vetmet me peshë reale rregullatore. Zyrtarët amerikanë e shohin gjithashtu ekosistemin kinez të IA-së si një burim të veçantë rreziku.
Modelet kineze janë kryesisht “open source”, që do të thotë se parametrat që i bëjnë ato funksionale publikohen lirisht, duke u dhënë aktorëve keqdashës akses të lehtë në mjete të fuqishme IA-je.
Bisedimet nuk do të ishin krejtësisht të reja. Trump dhe Xi ranë dakord të “punonin së bashku” për IA-në kur u takuan në Busan të Koresë së Jugut në tetor.
Më parë, në vitin 2024, Joe Biden siguroi një marrëveshje nga Xi që armët bërthamore do të kontrolloheshin nga njerëzit dhe jo nga IA-ja. Por, ritmi i rreziqeve në zhvillim po detyron një rishikim të çdo qasjeje të pjesshme ndaj bashkëpunimit.
Kodet
Studiues amerikanë dhe kinezë, tashmë bashkëpunojnë në mënyra më pak publike. Për shembull, disa nga laboratorët më të mëdhenj të Kinës, përfshirë Baidu, kanë adoptuar kod “open source” të shkruar nga zhvillues të Anthropic për të rregulluar mënyrën se si komunikojnë agjentët e IA-së.
Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar edhe disa dialogë jozyrtarë mes drejtuesve të teknologjisë dhe ish-zyrtarëve nga Amerika dhe Kina, ndonjëherë në fshehtësi.
Megjithatë, pjesëmarrësit thonë se ekspertët teknikë të nevojshëm për të bërë përparim real në harmonizimin e standardeve shpesh nuk janë të pranishëm.
Tani duken të mundshme tri forma bashkëpunimi. Së pari, dialogu. Amerika dhe Kina mund të angazhohen në “sigurim strategjik”, thotë një zyrtar perëndimor.
Në bisedimet për armët bërthamore, vendet diskutojnë rregullisht planet e tyre për menaxhimin e rrezikut, ndërtimin e besimit dhe uljen e mundësisë së keqllogaritjeve. Amerika dhe Kina mund të shkruajnë rregulla për IA-në paralelisht, por jo në koordinim.
Nëse lexojnë të njëjtat studime teknike dhe ndajnë të njëjtën bazë faktesh, mund të ndërmarrin veprime të arsyeshme në përgjigje, thotë Karson Elmgren nga Instituti amerikan për Politikën dhe Strategjinë e IA-së.
Së dyti, Amerika dhe Kina mund të bien dakord për mënyrën e testimit të sigurisë së modeleve. Pa ndarë rezultatet, të dyja palët mund të respektojnë standarde të përbashkëta për sjellje të rrezikshme apo mënyra për të identifikuar motive që nuk përputhen me ato të krijuesve njerëzorë.
E vështirë të dallosh të dhënat e përdorura për monitorimin e sigurisë së IA-së nga informacioni i rëndësishëm për zhvillimin e saj, vëren Jeffrey Ding nga Universiteti George Washington. Duke mos i bërë publike rezultatet, të dyja palët mund të shmangin frikën e rrjedhjes së të dhënave teknike.
Së treti, “beso, por verifiko”. Nëse Trump dhe Xi do të ndiheshin ambiciozë, ata mund të kërkonin një marrëveshje formale për zhvillimin e testeve të përbashkëta të sigurisë dhe ndarjen e rezultateve të tyre.
Por kjo ndoshta do të kërkonte mekanizma ndërhyrës për të kontrolluar respektimin e marrëveshjes.
Këto mund të përfshijnë inspektime ose transmetimin e të dhënave mbi aktivitetin e qendrave të të dhënave te një arbitër ndërkombëtar, si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së, e cila monitoron materialet bërthamore.
Të gjitha këto forma bashkëpunimi duken ende shumë larg. Studiuesit amerikanë të IA-së janë skeptikë nëse zyrtarët kinezë janë të sinqertë.
Laboratorët kinezë të IA-së kanë qenë relativisht më pak rigorozë për sigurinë, ndoshta sepse modelet e tyre ende nuk janë mjaftueshëm të fuqishme për të paraqitur kërcënime ekzistenciale, ose sepse u mungojnë koha dhe fondet për t’i testuar.
Dokumentet shoqëruese të modelit v4 të DeepSeek, të publikuara muajin e kaluar, nuk përfshinin mbrojtjet që janë të zakonshme në laboratorët amerikanë.
Ryan Fedasiuk, ish-zyrtar i administratës Biden, sugjeron se shqetësimet e deklaruara nga Kina për sigurinë e IA-së janë performative dhe bëhen “për t’i nxjerrë amerikanët në pozitë të keqe”.
Debati
Pavarësisht mbështetjes publike të Kinës për qeverisjen globale të IA-së, ajo deri tani ka kundërshtuar diskutimet e detajuara me Amerikën për këtë çështje. Në vitin 2024, Amerika dërgoi zyrtarë të lartë të sigurisë dhe ekspertë teknikë për t’u takuar me homologët e tyre kinezë në Gjenevë.
Kina dërgoi zyrtarë politikë që refuzuan të diskutonin sigurinë e IA-së derisa Amerika të hiqte kontrollet e eksportit për çipat kompjuterikë të avancuar, sipas personave të njohur me bisedimet.
Diplomatët amerikanë ankohen se Kina ka një histori të gjatë të manipulimit të dialogut për përfitime politike: ajo ndërpreu diskutimet për ndryshimet klimatike në vitin 2022 sepse Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin, për shembull.
Diskursi kinez për IA-në, përfshirë diskutimet e fundit për Mythos, pasqyron ndonjëherë paranojën se laboratorët amerikanë përdorin shqetësimet për sigurinë për të kontrolluar zhvillimin e teknologjisë.
Disa druhen se ndarja e të dhënave mbi sigurinë është një manovër për të përvetësuar sekretet teknologjike të Kinës. Tong Zhao, ekspert për negociatat mbi kontrollin e armëve bërthamore në Carnegie Endoëment, thotë se strategët kinezë janë përgjithësisht skeptikë ndaj marrëveshjeve me një palë teknologjikisht superiore.
Historia e Kinës me “traktatet e pabarabarta” në shekullin XIX i ka bërë zyrtarët të kujdesshëm ndaj marrëveshjeve që mund të ngadalësojnë zhvillimin e tyre ose t’i mbyllin në një status të dorës së dytë.
Bashkëpunimi bëhet edhe më i vështirë për shkak të rreziqeve të mëdha që përfshihen. “Nëse nuk fitojmë në IA, atëherë loja ka mbaruar”, tha sekretari amerikan i Thesarit për “The Wall Street Journal” në prill. Xi e ka cilësuar së fundmi IA-në si “përcaktuese të epokës”.
Megjithatë, shumë shpejt liderët amerikanë dhe kinezë mund të fillojnë ta shohin IA-në si ekzistenciale edhe për arsye të tjera.
Fatkeqësisht, provat historike sugjerojnë se momentumi i vërtetë vjen vetëm pas një aksidenti tragjik”, thotë Ding, duke përmendur standardet globale të vendosura pas katastrofës kimike të Bhopalit në vitin 1984 ose katastrofës së Çernobilit në vitin 1986. Negociatat për IA-në mbeten një provë e vërtetë për inteligjencën njerëzore./Monitor