Sipas burimeve iraniane, nuk është e vërtetë që Teherani ka rënë dakord t’ia shesë uraniumin e tij SHBA-së, siç pretendon Trump.
Deklaratat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me një marrëveshje mbi uraniumin e pasuruar të Teheranit janë “krejtësisht të rreme”.
Kështu tha një burim iranian për gazetën e Katarit, Al-Araby Al-Jadeed. Ky burim thekson negociatat me Shtetet e Bashkuara mbi çështje “të diskutueshme” janë duke vazhduar, por sipas këtij burimi, nuk ka një rrugë të qartë përpara, duke pasur parasysh kërkesat “e tepërta” të Amerikës.
Irani njoftoi hapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë. Lajmin e dha në faqen e tij në X Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike, i cili tha se hapja e ngushticës do të zgjasë sa armëpushimi në Liban, që përfundon më 26 prill.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit”,- tha Abass Araghchi, Ministër i Jashtëm i Iranit.
Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë duke falënderuar Iranin. Njoftoi se bllokada amerikane për anijet që duan të hyjnë dhe të dalin nga portet iraniane do të vijojë.
“Bllokada detare do të mbetet plotësisht në fuqi dhe efekt vetëm sa i përket Iranit, deri në momentin kur marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar. Ky proces pritet të përfundojë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara”,- tha Trump.
Presidenti i SHBA foli për procesin e negociatave dhe për pikat që janë dakordësuar deri më tani me Teheranin zyrtar. Siç thotë, Republika Islamike ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Hormuzin. Sipas asaj që shkroi në Truth, Irani rezulton të ketë pranuar edhe dorëzimin e uraniumit të pasuruar që disponon.
“Irani ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta përdorë atë si një armë ndaj botës. Do ta marrim uraniumin e Iranit me avionët tanë B2”,- deklaroi Trump.