Irani konfirmoi zgjatjen e armëpushimit me SHBA-në dhe la të hapur mundësinë e lëvizjeve diplomatike në të ardhmen, por pa u zotuar për bisedime të reja me Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, në deklaratat e transmetuara nga televizioni shtetëror iranian, shmangu marrjen e një qëndrimi të qartë nëse Teherani është gati të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh me Uashingtonin në Islamabad.
“Diplomacia është një mjet për të siguruar interesat dhe sigurinë kombëtare dhe sa herë që arrijmë në përfundimin se ekzistojnë kushte të nevojshme dhe të arsyeshme për përdorimin e këtij mjeti për të arritur qëllimet kombëtare dhe për të forcuar arritjet e kombit iranian kundër ndjekjeve dashakeqe të armiqve, ne do të ndërmarrim veprime”, tha ai.
Ky qëndrim interpretohet si një tregues se pala iraniane po i mban kanalet komunikuese të hapura, por pa u zotuar për një rifillim të menjëhershëm të negociatave.
Në të njëjtën kohë, diplomatët në Teheran e bëjnë të qartë se “pa heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, ne nuk do të kthehemi në negociata. Ne nuk do të negociojmë nën kërcënime”.
Siç theksojnë ata, “komunikimi me ndërmjetësit pakistanezë është duke u zhvilluar për të përmbushur kushtet e Republikës Islamike me qëllim rifillimin e negociatave”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka ndikuar në ndryshime të mëdha në udhëheqjen iraniane, por zhvillimet e fundit duket se kanë krijuar më shumë paqartësi sesa stabilitet. Me disa nga figurat kryesore të Iranit të raportuara si të vrara, mbetet e paqartë se kush po drejton aktualisht vendin.
Kjo situatë ka vështirësuar përpjekjet diplomatike dhe ka rritur tensionet në rajon. Nga ana tjetër, një këshilltar i kryetarit të parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka akuzuar Trump se po përpiqet të fitojë kohë për një sulm tjetër të mundshëm.
Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se vendi është i gatshëm të kundërpërgjigjet nëse përshkallëzimi vazhdon.
Për momentin, çdo mundësi për bisedime të reja këtë javë duket e largët, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë.