Mburoja bardheblu të vendosura mbi ndërtesa në të gjithë Iranin, synojnë të dërgojnë një mesazh për planifikuesit e sulmeve amerikane e izraelite.
Fotografi të simbolit të vënë mbi çati dhe pranë vendeve të trashëgimisë kulturore u shpërndanë nga mediat shtetërore iraniane më 10 mars, bashkë me raportimet se “më shumë se 120 muze e disa ndërtesa historike” në të gjithë Iranin janë shënjuar me këtë emblemë.
Shefi i trashëgimisë kulturore të Iranit, Mohsen Tousi, iu tha mediave iraniane se simboli i njohur zyrtarisht si “Mburoja e Kaltër”, ishte vendosur “për të mbrojtur pasuritë e vlefshme kulturore e historike”.

Emblema u krijua gjatë Konventës së Hagës të vitit 1954, për të mbrojtur pronën kulturore gjatë konflikteve. Simboli synon të tregojë një objekt të trashëgimisë, në të njëjtën mënyrë siç simboli i Kryqit të Kuq tregon një objekt humanitar.
Simboli i mburojës nuk arriti kurrë të përhapej si ai i Kryqit të Kuq, por në vitin 1996 u themelua organizata Blue Shield, për të promovuar idealet e ruajtjes së trashëgimisë gjatë luftës që simbolizon emblema e ’54-ës.
Peter Stone, president i organizatës Blue Shield, i tha Radios Evropa e Lirë se “përdorimi i simbolit në Iran është shumë pozitiv”, por theksoi se organizata e tij nuk ka kontroll mbi përdorimin e kësaj embleme.
Përveç kësaj, nuk ekziston asnjë mekanizëm për të verifikuar nëse objektiva të ligjshme ushtarake iraniane po shënohen me këtë simbol.
Në luftën moderne, realisht është ushtrim mjaft i kotë të vendosësh një emblemë të madhe mbi çatinë e një muzeu, thotë Stone, duke shtuar se shumë ushtri moderne kanë listat e tyre sekrete për vendet që nuk duhen goditur.
Megjithatë, shprehet se një shënim kaq i qartë i vendeve të trashëgimisë “shton një shtresë përgjegjësie për këdo që sulmon, që ta marrë seriozisht këtë emblemë dhe mbrojtjen e saj”.
Nëse vendoset në një vend kulturor legjitim, pa përdorim ushtarak, eksperti britanik i trashëgimisë thotë se emblema mund të ketë edhe peshë ligjore, pasi “mbrojtja e saj vjen nga Konventa e Hagës e vitit 1954”, të cilën e kanë ratifikuar edhe Izraeli e SHBA-të.
Në konflikte të mëparshme, përfshirë gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, emblema e mburojës së kaltër është përdorur, shpesh e pikturuar mbi çati në përmasa të mëdha që të jetë e dukshme për pilotët e avionëve dhe dronëve.
Disa ndërtesa që mbanin emblemën u dëmtuan gjatë konfliktit, ndërsa të tjera jo. Stone thotë se ka qenë e pamundur të dihet ndikimi i mirëfilltë i simbolit, pasi vendimmarrja për objektivat ndodh pas një muri të fshehtësisë ushtarake.
Pas konfliktit, thotë Stone, përdorimi i drejtë i simbolit të mburojës mund të japë “një provë shtesë” për ndjekjen penale të atyre që sulmojnë pa ndonjë domosdoshmëri ushtarake.
Stone pranon se koncepti i së drejtës ndërkombëtare mbi të cilin bazohet mburoja e kaltër sot është në një gjendje të brishtë, por thotë:
Duhet ta mbajmë gjallë, se në të kundërt, askush nuk do të mbahet përgjegjës.