Bota

Trump kërcënon me sulme shtesë në Harg!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se edhe pse një pjesë e madhe e ishullit strategjik iranian Harg u shkatërrua nga bombardimet amerikane, ai mund të urdhërojë sulme të tjera. Ndërkohë, vendet arabe, aleate të SHBA-ve në rajon, raportuan për ndërprerje në industrinë e tyre të naftës, për shkak të sulmeve hakmarrëse iraniane.

Trump i tha NBC News-it se sulmet amerikane “shkatërruan plotësisht” pjesën më të madhe të ishullit Harg, që ndodhet rreth disa dhjetëra kilometra larg territorit tokësor të Iranit.

Mund ta godasim edhe disa herë të tjera, thjesht për qejf.

Menjëherë pas sulmit, Trump tha se forcat amerikane “shkatërruan plotësisht” objektivat ushtarake iraniane në ishull, por nuk e prekën infrastrukturën e naftës. Megjithatë, kërcënoi se do ta godasë nëse Irani ndërpret trafikun në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtarët iranianë pretendojnë se eksportet e naftës bruto vazhdojnë pa ndërprerje nga terminali i Ishullit Harg, pas asaj që Trump e përshkroi si “një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme”.

Sulmi ndaj Ishullit Harg shënoi një zhvillim të madh në konfliktin që filloi më 28 shkurt, me sulme në shkallë të gjerë të SHBA-ve e Izraelit kundër objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane.

Harg është pika kryesore e eksportit të naftës së Iranit dhe shërben si terminal për rreth 90% të eksporteve të tij të arit të zi. Ishulli ndodhet rreth 24 kilometra larg bregdetit iranian e afro 480 kilometra në veri të Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti Trump “i habitur”, por jo i gatshëm për marrëveshje

Trump i tha NBC-së se është “i habitur” që Teherani vendosi të sulmojë vendet e tjera të Lindjes së Mesme si hakmarrje për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit. Po ashtu, pretendoi se Teherani po kërkon që të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, vetëm se kushtet që ofron Irani nuk përputhen me kërkesat e tij.