Francesco Totti, ish-kapiteni legjendar i Romës, është nën hetim nga Prokuroria e Romës për evazion fiskal, sipas raportimeve të “La Verità”. Ai akuzohet për mosdeklarim të të ardhurave të lidhura me reklamat, çka ka çuar në një borxh tatimor prej 200.000 eurosh për shkak të gjobave dhe interesave.
“Guardia di Finanza” zbuloi se Totti nuk kishte hapur një pozicion specifik të TVSH-së për të ardhurat nga reklamat, duke mos paguar taksat e nevojshme.

Megjithëse Totti ka paguar shumën e kërkuar për ta mbyllur çështjen, Prokuroria e ka regjistruar atë si të dyshuar për mosdeklarim të të ardhurave. Sipas dekretit legjislativ Italian për këtë çështje ai rrezikon një dënim që varion nga 2 deri në 5 vite burg, nëse akuza konfirmohet.
Totti pritet të paraqitet në Prokurori në mes të dhjetorit, për t’u marrë në pyetje nga prokurori Vincenzo Barba.
Rikujtojmë se pas filmit dokumentar në Netflix, ‘Unica’, ish-bashkëshortja Ilary Blasi ka ende diçka për të thënë dhe treguar për marrëdhënien dhe divorcin me ish-futbollistin, Francesco Totti. ‘Che Stupida’ La mia verità, libri i saj do të jetë në librari që prej 30 janarit. “Miqtë më quajnë “Princesha e Akullit” jo sepse i mbaj shpesh flokët në të njëjtën ngjyrë si Elsa nga Frozen, por sepse nuk e lë veten të mbizotërohem nga emocionet”. Kështu e ka prezantuar librin e saj në Instagram Blasi.
“Në fillim të nëntorit më zuri gjumi në krahët e Francescos, të nesërmen në mëngjes u zgjova me dikë që i ngjante shumë, por nuk ishte ai. I turpshëm, i largët, i munguar, në kërkim të justifikimeve për të dalë një darkë me miqtë, një lojë letrash apo futboll..”,-shkruan ajo mes faqeve.