Aktualitet

Apeli i Posaçëm lë në burg Ilir Metën, i rrëzohet kërkesa për masë më të lehtë sigurie!

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot vendosi të mos pranojë ankimin e ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili kërkonte zëvendësimin e arrestit në burg, me një masë më të lehtë, si arrest në shtëpi, garanci pasurore apo detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.

Trupi gjykues monokratik, me gjyqtare Saida Dollani, la në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe për pasojë, masa e arrestit në burg për Metën mbetet e pandryshuar.

Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Dosja “Meta” përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.