Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka deklaruar në Kuvend se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm për ndryshime politike dhe institucionale.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali bëri thirrje për një reflektim të thellë të klasës politike dhe propozoi një ndryshim të sistemit zgjedhor, duke sfiduar drejtpërdrejt Berishën që t’i hapë rrugë reformimit të opozitës.
Spiropali vuri theksin te domosdoshmëria për një “vetëpastrim” të institucioneve dhe politikës. Ajo theksoi se sistemi aktual zgjedhor ka prodhuar banalitet, duke lënë qytetarët të papërfaqësuar.
“Unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, për vetëpastrim, për luftën ndaj korrupsionit dhe për ndryshimin e këtij sistemi politik e zgjedhor. Njerëzit janë në rrugë, jo nga dehja ideologjike, por nga nevoja për të shpalosur veten,” deklaroi Spiropali.
Duke iu drejtuar nga foltorja liderit të opozitës, ajo lëshoi një sfidë të hapur politike: “Po ti Sali, a e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde? Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon vetëm një partie, por të gjithëve?”
Spiropali lëshoi edhe një mesazh të qartë ndaj atyre që i quajti “bedelë politikë” dhe individëve që keqpërdorin pushtetin për sulme personale dhe familjare. Ajo u shpreh e vendosur se asnjë presion nuk do ta ndalë, pasi nuk ka asgjë për të fshehur.
“Asnjë nga sulmet e asnjë bedeli politik nuk më ndal dot. Kushdo që mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht apo familjarisht dikë, nuk do t’ia dalë, sepse do të hiqet si apendicit,” u shpreh Spiropali.
Nga ana tjetër, reagimi i kreut të PD, Sali Berisha ishte me ironi duke shmangur kështu debatin mbi reformimin e sistemit.
“Elisa, pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje. Kjo është e vetmja replikë që kam për ty,” ishte komenti i Berishës jashtë sallës së Kuvendit.