Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth i hoqi personelin që i garantonte mbrojtjen, si dhe certifikatën e sigurisë, ish-shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, Gjeneralit Mark Milley.
Po kështu, Hegseth urdhëroi inspektorin e përgjithshëm të Pentagonit, që të hetojë veprimet e Milleyt në detyrë, si ushtaraku më i lartë i vendit, për të përcaktuar nëse ai ka bërë shkelje që mund të çojnë në një ulje të tij në gradë.
Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë të mbrojtjes.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Ullyot tha se inspektori i përgjithshëm pritet të hetojë mbi faktet dhe rrethanat që lidhen me sjelljen e gjeneralit Milley, në mënyrë që sekretari i Mbrojtjes të përcaktojë nëse nevojitet një rishikim i gradës së tij.
Ullyot vuri në dukje se Hegseth e kishte informuar gjeneralin Milley mbi vendimet. Milley shërbeu në detyrën e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.
Fillimisht, raportet mes tyre ishin të mira, por ato u përkeqësuan thellë dhe me shpejtësi, pasi gjenerali Milley u përpoq ta këshillonte dhe të pengonte veprimet e Trump-it, mbi një sërë çështjesh.
Ai iu kundërvu presidentit kur ky i fundit foli për përdorim të forcës për të shuar protestat që përfshinë vendin pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, në duart e policisë.
Milley u vu në qendër të një polemike në vitin 2021, për shkak të një telefonate pa dijeninë e Shtëpisë së Bardhë me homologun e tij kinez.
Trump e quajti telefonatën “një akt tradhtie”, por në atë kohë Milley u shpreh se ato ishin biseda rutinë dhe pjesë e punës së tij.
Në ditët e tij të fundit në detyrë, që përkuan me ardhjen e administratës së re Biden dhe ndërsa zoti Trump ishte larguar nga detyra, Milley i shprehu hapur qëndrimet e tij kundër ish-presidentit Trump.
Në ceremoninë zyrtare me rastin e daljes në pension, tha:
Ne nuk betohemi para një mbreti, mbretëreshe, një tirani apo një diktatori. Ne nuk betohemi as para dikujt që dëshiron të bëhet diktator. Ne nuk betohemi para një individi, por përpara Kushtetutës. Ne jemi të gatshëm të vdesim për ta mbrojtur atë.
Joe Kasper, shefi i kabinetit të sekretarit të Mbrojtjes, Hegseth, tha se vendimi për t’i hequr gjeneralit Milley, personelin dhe certifikatën e sigurisë, u mor për shkak të asaj që e cilësoi “minim i zinxhirit komandues, që dëmton sigurinë tonë kombëtare”.
Lajmi mbi gjeneralin Milley u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv “Fox News”. Si pjesë e masave mund të përfshihet gjithashtu heqja e portretit të tij si Shef i Shtabit të Forcave Tokësore të Ushtrisë, vetëm disa orë pas betimit të presidentit Trump.
Të dy portretet ishin paguar nga Shoqata e Ushtrisë dhe jo nga paratë e taksapaguesve dhe ishin dhuratë për gjeneralin Milley, një nderim për shërbimin e tij.