Me vjedhjet që kryenin ishin kthyer në shqetësim për banorët e zonës së Këlcyrës, policia arrestoi dy persona, mes tyre një i mitur, 16 vjeç. Në kuadër të operacionit të koduar “Mazhan”, po hetohet për të tjerë bashkëpunëtorë të mundshëm. Nga uniformat blu u sekuestruan edhe një armë e sende të vjedhura. Vjedhjet realizoheshin pasi studiohej zona, banesa shënjestër që do të sulmohej dhe me thyerje të dyerve apo dritareve.
Denoncimi më i fundit u bë tre ditë më parë nga qytetari B.M., për bastisjen e banesës së tij, ku ishin vjedhur materiale të ndryshme.
Nga veprimet e shpejta hetimore dhe procedurale të kryera nga Stacioni i Policisë Këlcyrë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Ersekë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mazhan”, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të vjedhjes, konkretisht shtetasit: J.B., 22 vjeç banues në Ersekë dhe një 16-vjeçar, banues në Këlcyrë.
Baza e grupit ishte një banesë e vjetër në fshatin Mazhan ku të dyshuarit mbanin të fshehura materialet e vjedhura dhe armatimet. Një pjesë e sendeve të grabitura ishin shitur.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet dhe mjetet e vjedhura, të cilat këta shtetas i kishin shitur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.