Aktualitet

Vodhën 40 mijë kg kafe në subjektin ku punonin, pranga dy magazinierëve!

Policia e Tiranës arrestoi dy persona dhe nisi procedimin penal ndaj një tjetri, të akuzuar se kanë vjedhur 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën duke fituar rreth 800 mijë euro në tre vite. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia thotë se nga veprimet operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.

Si rezultat i operacionit: u vunë në pranga shtetasit A.K., 35 vjeç dhe V.K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt; nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L.B., 29 vjeç, shpërndarës.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.