Italia është bërë shteti i parë anëtar i Bashkimit Europian që miraton një ligj të veçantë për rregullimin e inteligjencës artificiale (IA), duke vendosur kufizime të qarta për përdorimin e saj, veçanërisht në raport me të miturit. Ligji parashikon gjithashtu masa të rrepta ndëshkuese për ata që përdorin IA për qëllime keqdashëse, përfshirë dënime me burg.
Qeveria e djathtë e udhëhequr nga Giorgia Meloni deklaroi se ky ligj është në përputhje me rregulloren e re të BE-së për inteligjencën artificiale dhe përfaqëson një hap vendimtar në përcaktimin e mënyrës se si kjo teknologji do të përdoret në Itali. Sipas qeverisë, qëllimi është të sigurohet një përdorim “transparent dhe i sigurt” i IA-së, duke i dhënë përparësi risive, sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.
Ligji parashikon dënime me burg nga një deri në pesë vjet për ata që shpërndajnë përmbajtje të krijuara ose manipuluara në mënyrë të paligjshme përmes inteligjencës artificiale, në rast se këto materiale shkaktojnë dëme. Gjithashtu, parashikohen sanksione më të ashpra për përdorimin e teknologjisë në aktivitete kriminale si mashtrimi apo vjedhja e identitetit.
Rregulloret e reja vendosin standarde të rrepta për transparencën dhe mbikëqyrjen në fusha të ndjeshme si shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe sporti. Një tjetër masë e veçantë është kufizimi i aksesit të fëmijëve nën 14 vjeç në inteligjencën artificiale, i cili do të kërkojë pëlqimin e detyrueshëm të prindërve.
Alessio Butti, nënsekretar për Transformimin Digjital, e përshkroi ligjin si një mënyrë për të orientuar zhvillimin e inteligjencës artificiale “brenda kufijve të interesit publik”, duke synuar mbrojtjen e plotë të të drejtave të qytetarëve dhe promovimin e rritjes së qëndrueshme.
Për zbatimin e këtij ligji janë ngarkuar dy institucione kryesore: Agjencia për Italinë Digjitale dhe Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike. Ligji u miratua përfundimisht në parlament pas një procesi njëvjeçar debati dhe diskutimesh.
Kryeministrja Giorgia Meloni kishte shprehur që në mars të vitit të kaluar shqetësimet dhe pritshmëritë për inteligjencën artificiale, duke e cilësuar atë si “revolucionin më të madh të kohës sonë”. Ajo theksoi se teknologjia mund të arrijë potencialin e saj të plotë vetëm nëse zhvillohet brenda një kornize etike që vë në qendër njeriun, të drejtat dhe nevojat e tij.
Ligji gjithashtu parashikon një mbështetje financiare deri në 1 miliard euro, nga një fond kapitali shtetëror, për të mbështetur kompanitë që veprojnë në fushat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe telekomunikacionit. Megjithatë, kritikët argumentojnë se kjo shumë është ende modeste krahasuar me investimet e mëdha që bëhen nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina në këtë sektor.