Gjykata e Fierit njofton se ka miratuar kërkesën për mbrojtje të posaçme të gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe familjes së tij. Në njoftimin për mediat, thuhet se vendimi u mor në Këshillin për Mbrojtjen e Magjistratëve pas shqyrtimit të kërkesës së zv/kryetarit të gjykatës së Fierit, Noel Veizi.
“Gjykata e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë në kërcënimin e jetës së gjyqtarit Vladimir Cjapi. Shprehim bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot në krah të gjyqtarit Vladimir Cjapi, familjes së tij dhe gjykatës së Fierit”, thuhet në njoftimin për mediat të këtij institucioni.
Gjatë paradites së të enjtes, gjykata urdhëroi kontroll në banesën e Arben Isufajt, i njohur me nofkën Ben Qimja, një personazh kontrovers i botës së krimit i cili dyshohet se ka kanosur me jetë gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi.
LEXO EDHE: Kërcënoi një gjyqtar në Fier, shpallet në kërkim ‘Ben Qimja’!
Isufaj, 55-vjeçar nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur forcat speciale zbarkuan në Sheq të Madh dhe e rrethuan.
Arben Isufaj ishte edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit dhe iu kërkua të justifikonte pasurinë edhe në vitin 2020.
“Ben Qimja” njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge, heroinë dhe kokainë nga Holanda.
Ai aktualisht është shpallur në kërkim, pasi 11 vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine nga Holanda.
Isufaj u fut në sektorin e ndërtimit në mesin e viteve 2000, duke u kthyer në njërin prej ndërtuesve më të mëdhenj një Fier.
Ai u arrestua në vitin 2014 pas një operacioni të bujshëm në zonën e Liqenit në Tiranë për t’u liruar disa kohë më vonë dhe tashmë rezulton i padënuar me vendim të formës së prerë.