Qeveria e Izraelit miratoi një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, që parashikon ndalimin e armiqësive në Gaza brenda 24 orësh dhe lirimin e pengjeve izraelite në 72 orë pas hyrjes në fuqi të akordit. Ky është zhvillimi më i rëndësishëm deri tani për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare.
E ndërmjetësuar nga SHBA-të në kuadër të një plani 20-pikësh të presidentit Donald Trump, gjithashtu marrëveshja parashikon shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë dhe një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza. Trump pritet të udhëtojë në rajon të dielën, për të marrë pjesë në një ceremoni të mundshme nënshkrimi në Egjipt.
Në kuadër të akordit, SHBA-të do të vendosin deri në 200 trupa në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në koordinimin e një force shumëkombëshe që do të mbikëqyrë armëpushimin, megjithëse asnjë ushtar amerikan nuk do të ndodhet fizikisht në Gaza.
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, ndihma humanitare dhe ushqimore do të nisë të hyjë në Gaza për të ndihmuar qindra mijëra civilë që janë strehuar në kushte të vështira. Marrëveshja ka marrë mbështetje të gjerë nga vendet perëndimore dhe arabe e shihet si një sukses diplomatik për presidentin Trump, i cili është përballur me kritika për mungesën e progresit në përmbushjen e premtimeve të tij për paqe.
Lufta ka shkaktuar pasoja të rënda, me mbi 67 mijë palestinezë të vrarë që nga tetori 2023, kur Hamasi nisi sulmin ndaj Izraelit, duke vrarë 1,200 persona dhe marrë 251 pengje. Aktualisht besohet se 20 pengje izraelite ende janë gjallë në Gaza, ndërsa 26 të tjerë supozohet se kanë humbur jetën.