Forcat izraelite ndaluan 13 anije me aktivistë të huaj dhe ndihmë kushtuar Gazës, ndërsa 30 mjete vazhduan lundrimin drejt enklavës palestineze, siç njoftuan organizatorët. Mes aktivistëve të njohur është edhe suedezja Greta Thunberg.
Disa anije të flotës Sumud të Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian] janë ndalur dhe pasagjerët e tyre po transferohen në një port të Izraelit, deklaroi Ministria e Jashtme në X. Greta dhe miqtë e saj janë të sigurt e gëzojnë shëndet të plotë.
Flota Global Sumud që po transporton ilaçe e ushqime për në Gaza, përbëhet nga më shumë se 40 anije civile dhe rreth 500 ligjvënës, avokatë e aktivistë. Flota ka publikuar video në Telegram me mesazhe nga persona në anije, disa duke mbajtur pasaportat e duke deklaruar se janë rrëmbyer e dërguar në Izrael kundër vullnetit.
Misioni ynë është humanitar dhe jo i dhunshëm.
Kjo flotë po synon të kundërshtojë bllokadën që Izraeli i ka vendosur Gazës. Pas ndalimit të anijeve pati reagime ndërkombëtare. Ministria e Jashtme e Turqisë e quajti “sulm” të Izraelit dhe “akt të terrorit” ndaj flotës.
Rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, urdhëroi dëbimin e të gjithë delegacionit diplomatik të Izraelit pas ndalimit të dy kolumbianëve në flotë. Izraeli nuk ka pasur ambasador në Kolumbi që nga viti i kaluar.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, dënoi ndalimin teksa shtoi se forcat izraelite kanë ndaluar tetë shtetas të Malajzisë.
Duke bllokuar një mision humanitar, Izraeli tregon një shpërfillje të plotë jo vetëm për të drejtat e popullit palestinez, por edhe për ndërgjegjen e botës.
Ndalimi i flotës nga Izraeli ka nxitur protesta në Itali. Sindikatat italiane kanë thirrur një grevë të përgjithshme për nesër, në shenjë solidariteti me flotën që po çon ndihma.
Më herët, marina izraelite paralajmëroi flotën se po i afrohej një zone ku ka luftime dhe se po shkel bllokadën, duke kërkuar që anijet të ndryshojnë drejtimin. Izraeli ka ofruar të transferojë ndihmën e flotës për në Gaza.
Flota Sumud është përpjekja më e madhe detare për të thyer bllokadën që Izraeli ka vendosur ndaj Gazës, ku po zhvillohet luftë për pothuajse dy vjet.
Anijet ishin rreth 70 milje detare larg Gazës kur u ndalën, brenda një zone që Izraeli e patrullon vazhdimisht dhe ndalon çdo mjet që afrohet. Organizatorët thanë se komunikimet e tyre u penguan, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë nga disa anije. Organizatorët shpresonin që anijet të shkonin në Gazë mëngjesin e sotëm, nëse nuk do të ishin penguar.
Izraeli vendosi një bllokadë detare në Gaza që kur Hamasi mori kontrollin e enklavës më 2007-ën e ka pasur disa përpjekje të mëhershme nga aktivistët që të dërgojnë ndihmë përmes detit. Në qershor të këtij viti, Izraeli ndaloi Thunbergun dhe 11 anëtarë të ekuipazhit të një anijeje të vogël, të organizuar nga një grup propalestinez, teksa anija i afrohej Gazës.