Edhe Mançester Junajtid ka hyrë në garë për futbollistin më të mirë të kampionatit belg gjatë sezonit të fundit, Ardon Jashari. Sipas gazetarit Florian Pletenberg të “Sky Sport”, italianët e Milanit mbeten në avantazh për shqiptarin që ka zgjedhur të luajë për Zvicrën dhe që aktivizohet me klubin e Bryzh në Belgjikë. Por, befas kanë ndërhyrë edhe drejtuesit e “Djajve të kuq” të Premier Ligës. Ata po monitorojnë situatën e ndërkombëtarit zviceran dhe tashmë kanë kontaktuar me agjentët e mesfushorit, lidhur me një transferim të mundshëm të tij në Mançester.
Junajtid thuhet se po kërkon një mesfushor të besueshëm për sezonin e ardhshëm, duke parë se janë shtuar pikëpyetjet mbi të ardhmen e Kasemiros, me brazilianin që së fundmi është shfaqur si një objektiv për skuadrën e Ligës Profesioniste Saudite, Al-Nasr. Ndërkohë që kanë në favorin e tyre faktin që mund t’i shpenzojnë pa hezitim 35 milionë eurot e kërkuara nga belgët, për të lënë të lirë lojtarin. Në një kohë që kuqezinjtë italianë nuk po shkojnë përtej 30 milionëve.
Jashari, i vlerësuar si një nga mesfushorët më të mirë të rinj të Europës, u bashkua me Bryzh nga skuadra zvicerane Luzern pothuajse 12 muaj më parë dhe ishte një lojtar kyç për klubin belg sezonin e kaluar. 22-vjeçari premtues bëri 52 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë gjashtë asiste. Pa harruar se filloi si titullar edhe 11 nga 12 ndeshjet e belgëve në Ligën e Kampionëve. Jashari siguroi edhe thirrjen e parë te Zvicra në vitin 2022, teksa u rikthye në skuadër këtë muaj për miqësoret kundër Meksikës e SHBA-së.
Vetë talenti 22-vjeçar thuhet se po i jep përparësi një kalimi veror në “San Siro”, megjithëse ende nuk është arritur asnjë marrëveshje, çka mund të ndërlikohet me interesin në rritje nga Mançester Junajtid që ka nga ana e vet edhe potencën më të madhe financiare. Ndërkaq, klubi nga “Old Trafford” është afër nënshkrimit të dytë të madh të verës, Brajan Mbemo, pas një oferte prej rreth 65 milionë eurosh, që ka paraqitur te Brentfordi. Më parë, është zyrtarizuar transferimi i Mateus Kunjas nga Uolvesi.