Sport

Java e 28-të e “Abissnet Superiores” sot Egnatia-Partizani e Tirana-Kukësi!

Pas dy ndeshjeve të luajtura dje, sot Java e 28-të e “Abissnet Superiores” do të vazhdojë me dy takime. Fillimisht, në orën 15:00 në fushë zbresin Egnatia e Partizani, ndërsa në orën 18:00 është radha e sfidës mes Tiranës dhe Kukësit, që do të luhet në “Elbasan Arena”.

Në “Arena Egnatia”, duket se Partizani do të ketë një provë mjaft të vështirë përballë skuadrës vendase, e cila jo rastësisht ndodhet në vendin e tretë në klasifikim, në kuotën e 41 pikëve, 6 më pak se të kuqtë. Kujtojmë që kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës për rrogozhinasit.

Për takimin tjetër që mbyll Javën e 28-të ndërmjet bardhebluve e verilindorëve, të besuarit e Orges Shehit kërkojnë të ruajnë ritmin e të shpresojnë në një gabim të Partizanit për të rrëmbyer vendin e parë, por pa harruar se përballë është një kundërshtar dinjitoz, pavarësisht pozicionit në klasifikim. Në një konferencë për shtyp, trajneri Shehi u shpreh:

Eshtë takimi i parë i fazës së katërt dhe kërkon më shumë cinizëm. Ndërkohë, Kukësi me atë pozicion që ka, sigurisht që do të kërkojë të ngrihet në klasifikim. Pra, përballë do të jetë një skuadër e mobilizuar. Na takon neve që ta interpretojmë sa më mirë, duhet të japim më shumë se maksimumin.

Java e 28-të nisi dje kur në “Loro Boriçi”, dueli Vllaznia-Erzeni përfundoi në rezultatin 3-1 për shkodranët. Po dje në orën 18:00, në “Niko Dovana” të Durrësit u luajt sfida mes Teutës e Laçit që u mbyll 1-2.

Ndeshjet e Javës së 29-të do të luhen në datat 15 dhe 16 prill. Të shtunën, siparin e javës e ngre takimi Bylis-Teuta që luhet në Ballsh (ora 15:00). Më pas në ora 18:00 nis sfida Erzeni-Kastrioti që zhvillohet në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Të dielën luhen tre ndeshjet e tjera:

Në orën 15:00 të 16 prillit nisin dy duelet Laçi-Partizani (në Laç) dhe Kukësi-Vllaznia (në Kukës Arena). Java mbyllet me Tirana-Egnatia, në “Elbasan Arena”, që nis në orën 18:00.