Aktualitet Sport

Jehona mediatike e lajmit të nisjes nga Shqipëria të “Giro d’Italia 2025”!

Nisjes nga Shqipëria të eventit sportiv “Giro d’Italia 2025” i është bërë jehonë në mediat e huaja, duke u publikuar nga 700 burime informacioni në 70 shtete të ndryshme. Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale kronikën e publikuar nga “Sky Sport” në Itali, si dhe thekson se “Giro d’Italia” është një nga eventet më të ndjekur në botë. Rama shkruan:

Nisja e Madhe – Grande Partenza” e Giro d’Italia nga Shqipëria, majin e ardhshëm (një nga evenimentet sportive më të ndjekura në botë, me mbi 800 milionë shikues përmes ekraneve në 200 vende të botës), është publikuar në 70 shtete të ndryshme nga 700 burime informacioni.

“Giro d’Italia”, një nga aktivitetet më të famshëm sportive në botë, zgjodhi Shqipërinë mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”, e cila do të transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.

“Giro d’Italia” lindi në vitin 1909 së bashku me “Gazzetta dello Sport” dhe njihet si një nga garat më të rëndësishme çiklistike botërore. Qindra çiklistë do të jenë të pranishëm përgjatë një jave duke marrë pjesë në shumë evente. “Giro d’Italia Grande Partenza” është një event që në 114 vite histori të garës vetëm 14 herë është zhvendosur jashtë kufijve italianë. Në vendin tonë pritet të zhvillohen tri etapat e para, për të vijuar më tej aktivitetin në Itali.

Në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza”, më 23 dhjetor, Rama e konsideroi moment shumë të rëndësishëm për vendin.

Gara e famshme popullore, me një traditë 114-vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues.

Kryeministri theksoi se ka shumë vende që konkurrojnë për të mikpritur nisjen e garës, ndaj dhe përzgjedhja e Shqipërisë është shumë e rëndësishme, pasi kjo garë prezanton Shqipërinë para mbi 800 milion telespektatorëve.

Eshtë vërtetë kënaqësi të madhe të them që kemi marrë nga RCS Sport konfirmimin se Shqipëria është zgjedhur për “Giro d’Italia Grande Partenza” 2025. E di që zgjedhjet janë shumë e duhet vetëm të vënë gishtin e të zgjedhin duke qenë se ka shumë vende që konkurrojnë për të mirëpritur këtë nisje të garës. Për këtë jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj e më të pasur dhe për t’ju treguar vendin tonë të mrekullueshëm.

Kryeministri theksoi se për 3 ditë me radhë, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë do të ketë kaq shumë kampionë që do të jenë miq në vendin tonë dhe për të cilët do të flitet nga bota.

Por edhe për Shqipërinë, që ka një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit dhe më së fundi ka bërë hapin e madh në Ligën e Kampionëve. Duam të qëndrojmë aty, e dimë shumë mirë se në këtë ligë ka një konkurrencë të jashtëzakonshme, pasi konkurrojmë me vende të hapura prej shekujsh. Ne kemi vetëm 30 vite që jemi hapur.