Një lajm i trishtë për të gjithë fansat e tenelovelave meksikane. Së fundmi është bërë e ditur se aktorja e njohur Carmen Salinas ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Prej një muaji Salinas ishte e shtruar në spital, pasi pësoi një goditje në tru që e la në koma.
Vdekja e producentes dhe politikanes, e njoftuar nga familja e saj në orët e vona të ditës së djeshmë la në zi industrinë e argëtimit meksikan, ku ajo pati një karrierë të gjatë dhe një ndikim të madh. Protagonistja e mbi 100 melodramave dhe filmave u admirua gjerësisht për talentin dhe bujarinë e saj.

Kur pësoi goditje në tru, ajo ishte duke marrë pjesë në xhirimet e telenovelës “Mi fortuna es amarte”, ku luante Doña Margarita Domínguez. Sipas raportimeve të mediave, aktoret si Silvia Pinal dhe Ana Martin u konsideruan shpejt si zëvendësuese për të luajtur personazhin. Salinas la pas vajzën e saj të vetme, María Eugenia Plascencia, dhe 7 nipër e mbesa.

Detajet në lidhje me shërbimet e saj funerale do të njoftohen më vonë. Familja gjithashtu ka falënderuar të gjithë për mesazhet e tyre mbështetëse. Aktorja rikujtojmë se kishte mbi gjashtë dekada përvojë në televizion dhe filma meksikan. Në vitin 2015 ajo u zgjodh në Kongresin Meksikan teksa përfaqësonte Partinë Revolucionare Institucionale.