Bota

Starmer: Andrew të dëshmojë në Kongresin Amerikan mbi lidhjet me Epstein-in!

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, bëri thirrje që ish-princi Andrew të dëshmojë para Kongresit Amerikan lidhur me marrëdhëniet e tij me abuzuesin e dënuar seksual, Jeffrey Epstein.

Starmer theksoi se kushdo që disponon informacione me rëndësi, duhet të jetë i gatshëm që t’i ndajë ato.

Së pari, gjithmonë i jam afruar kësaj çështjeje duke pasur parasysh viktimat e Epstein-it. Viktimat duhet të jenë përparësi kryesore. Sa i përket kërkimit të faljes, kjo është një çështje që i takon Andrew.

Por, sa i përket dhënies së dëshmisë, gjithmonë kam thënë se kushdo që ka informacion duhet të jetë i përgatitur ta ndajë atë në çfarëdo forme që i kërkohet. Nuk mund të jesh i përqendruar te viktimat nëse nuk je i përgatitur ta bësh këtë.

Komentet e kryeministrit britanik vijnë pas publikimit të fundit të dosjeve që lidhen me Epstein-in e që përfshijnë imazhe ku pretendohet se tregojnë Andrew-n të gjunjëzuar mbi një grua të shtrirë në tokë.

Dokumentet zbulojnë edhe se Epstein kishte sugjeruar organizimin e një darke për Princin Andrew me një ruse “të zgjuar, të bukur e të besueshme”, 26-vjeçare, ofertë ndaj së cilës Andrew qe përgjigjur se do të ishte “i kënaqur” ta takonte.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar mbi tre milion faqe dokumentesh që lidhen me Epstein-in, gjashtë javë pas afatit të përcaktuar nga një ligj i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew dhe Duka i Jorkut, u privua nga titujt mbretërorë në tetor, pas intensifikimit të hetimeve mbi lidhjet e tij me Epstein-in. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje.