Senatori demokrat, Richard Blumenthal bëri thirrje që dronët misteriozë që u panë duke fluturuar natën mbi zona të ndjeshme në Nju Xhersi e të tjera pjesë ndërmjet shteteve verilindore e juglindore, duhet “të goditen e të rrëzohen, nëse do të jetë e nevojshme”. Por, deri tani mbetet e paqartë se kush i zotëron avionët pa pilotë ose nëse janë realisht të tillë.
Ne duhet të bëjmë disa analiza shumë urgjente të informacioneve të inteligjencës dhe t’i heqim ato nga qielli, veçanërisht nëse fluturojnë mbi aeroporte ose baza ushtarake, tha Blumenthal ndërsa shqetësimet për dronët u përhapën në të gjithë Kongresin.
Persona të ndryshëm në rajonin e Nju Jorkut, gjithashtu u shqetësuan se dronët fluturuan në të njëjtën hapësirë ajrore me linjat komerciale. Duhet më shumë transparencë nga administrata Biden.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se pas një shqyrtimi të çështjes, rezulton se në të vërtetë, shumë prej tyre janë avionë me pilotë e që fluturojnë në mënyrë të ligjshme. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se nuk ka njoftime se objektet u panë në ndonjë hapësirë ajrore ku ndalohet fluturimi. Sipas tij, Roja Bregdetare nuk ka zbuluar përfshirje të ndonjë vendi të huaj nëpërmjet anijeve.
Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që njoftimet për dronë të paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare ose publike, ose kanë një lidhje me ndonjë vend të huaj.
Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh deklaroi se “nuk ishin dronë ushtarakë amerikanë”.
Në një deklaratë të përbashkët, FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare thanë se ata dhe agjencitë partnere federale, në koordinim të ngushtë me Policinë e Shtetit të Nju Xhersit, kanë vendosur në punë personel e teknologji për të hetuar rreth situatës e për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për dronë apo aeroplanë me pilotë, apo thjesht për një pasqyrim të gabuar të asaj që persona të ndryshëm mund të kenë parë.
Agjencitë theksuan se nuk kanë vërtetuar asnjë nga njoftimet dhe se nga rishikimi i imazheve në dispozicion duket se shumica ishin në avionë me pilotë. Po ashtu, ekziston mundësia që një dron i vetëm të jetë raportuar më shumë se një herë.