Bota

SHBA, certifikimi i fitores së Donald Trump-it në zgjedhje!

Kongresi Amerikan do të mblidhet sot për të certifikuar fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, përballë zv.presidentes aktuale, Kamala Harris. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë është përgjegjëse për kryesimin e numërimit të rezultateve nga secili prej 50 shteteve të vendit, duke e vënë Kamala Harris-it në pozicionin e certifikimit të humbjes së saj.

Procedura ishte për një kohë të gjatë një formalitet në procesin zgjedhor, por katër vjet më parë u shndërrua në kaos pasi mbështetësit e Trump-it hynë në Kapitol, duke plagosur rreth 140 oficerë policie, duke shkaktuar dëme në ndërtesë dhe duke detyruar ligjvënësit të strehoheshin për shkaqe sigurie.

Skena të ngjashme nuk priten sot, meqë Harris e ka pranuar humbjen dhe presidenti në largim, Joe Biden ka theksuar nevojën për një proces paqësor të kalimit të pushtetit.

Autoritetet janë përgatitur për çdo rast, duke ngritur pengesa të larta metalike rreth kompleksit të Kapitolit. Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, atë që ndodhi më 6 janar të vitit 2021, Joe Biden e cilësoi “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”.

Ne duhet të kthehemi në kalimin normal të pushtetit.

Presidenti Biden shtoi edhe se sjellja e Trump-it katër vjet më parë, që po ashtu përfshinte pretendime të përsëritura të rreme se ai fitoi zgjedhjet, “ishte një kërcënim i vërtetë për demokracinë”.

Më shumë se 1 mijë e 500 persona janë akuzuar në lidhje me sulmin në Kapitol. Donald Trump është zotuar se do të shpallë faljen e tyre pasi të marrë detyrën më 20 janar, pra pas dy javësh.