Aktualitet

Jon Keta, kreu i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit/KLP-ja votoi unanimisht propozimin e SPAK-ut!

Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP votoi për Jon Ketën në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, për ta drejtuar për 5 vitet e ardhshme. Propozimi i SPAK-ut për emrin e tij u miratua me unanimitet në mbledhjen e sotme që u ndoq edhe nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Bashkimit Europian.

Anëtarët e KLP-së miratuan unanimisht projektvendimin “Për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Mandati i Jon Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë 5-vjeçar, me detyrën kryesore hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Rekomandimi për emërimin e 37 vjeçarit erdhi nga Prokuroria e Posaçme.

Komisioni i Përzgjedhjes në mbledhjen e 26 nëntorit vendosi rekomandimin e Ketës në KLP, në një proces të monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë, përfaqësues të ICITAP-it (Programi i Ndihmës për Trajnime Hetimore Penale Ndërkombëtare) e të Bashkimit Europian, duke garantuar transparencën e procesit.

Jon Keta i kaloi të gjitha pengesat e garës për në Byronë Kombëtare të Hetimit. Emri i tij u aprovua gjatë mbledhjes së komisionit të përzgjedhjes, i përbërë nga 3 prokurorë dhe pas dakordësisë iu propozua Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u votuar. KLP-ja është institucioni i ngarkuar me ligj për emërimin dhe deklarimin e përfundimit të mandatit të drejtorit të BKH-së, që njihet si FBI-ja shqiptare.

Për 15 vite, Jon Keta ka shërbyer  në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore dhe njihet për rekordet në hetimet financiare e ndaj krimit të organizuar. Në një proces të tejzgjatur e që kapërceu edhe afatet e fundit të gushtit, në garë mbetën 7 pretendentë.

Pasi Komisioni i Kontrollit të Pasurisë dhe Figurës verifikoi e skualifikoi shumicën e tyre, i përcolli një listë të ngushtë fituesish komisionit të përzgjedhjes të përbërë nga Dumani, Kraja e Dibra.