Politikë

Kandidati i PD-së për Tiranën: Transport falas për studentët, pensionistët, ish të përndjekurit politik, të papunët dhe invalidët!

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranë, Roland Bejko në një takim me banorë në zonën e Kinostudios, foli për programin e PD-së për transportin publik. Bejko tha se do të ofrojnë një transport publik të aksesueshëm për të gjithë qytetarët duke mundësuar lëvizjen falas për të gjithë kategoritë që nuk mundësi financiare, duke nisur nga pensionistët, studentët, të papunët, njerëz me aftësi ndryshe dhe sh-të përndjekurit politik.

Bejko premtoi biletë elektronike, që do të jetë e vlefshme për 1-javë, 1 muaj ose edhe vjetore. Kjo risi, Bejko tha se do të eliminojë radhët e gjata për t’u pajisur me abone, pasi qytetarët do mund t’i blejnë ato online.

“Erion Veliaj ka katërfishuar-pesëfishuar taksat e qytetarëve, ne do t’i përgjysmojmë. Ka krijuar kaos në trafikun urban, se nuk ushtron kontroll ndaj kompanisë që e ka marrë këtë koncesion. Pse nuk ushtron kontroll? Ne dyshojmë se ka korrupsion, por të mos kishte korrupsion do ushtronte kontroll, do ta kontrollonte me sistem elektronik që nga zyrat e bashkisë. Sistemin urban të transportit të qytetarëve do e kishte bërë siç e ka gjithë bota me një sistem elektronik, ku qytetarët s’do rrinin në radhë për një abone, as pensionistët as të papunët. Do kishin një biletë që do u mundësonte qytetarëve të lëviznin me biletë javore, mujore dhe vjetore. Ne këtë do bëjmë. Një transport publik të aksesueshëm për të gjithë qytetarët, natyrisht duke e financuar bashkia, me ndihmë në dobi të qytetarëve që s’kanë mundësi të udhëtojnë, siç janë veteranët, studentët, të papunët, njerëz me aftësi ndryshe, ish-të përndjekurit politik. Në këto kushte bashkia nuk ka si të ofrojë një shërbim të transportit falas, sepse kategoritë e prekura do ua subvencionojë bashkia biletën. Nga ana tjetër, unë dhe ju të tjerët që zgjidhni të ecni me biçikletë apo mjete të tjera motorike, të paguan për mjetin tuaj dhe pastaj të paguani për dikë tjetër. Mund të paguajmë në solidaritetin që ka shoqëria për ata që kanë nevojë, por jo për të gjithë”, tha Bejko.
Bejko tha se do të ndërtohen 5 qendra polifunksionale në hyrje dhe dalje të Tiranës, të cilat do të jenë me parking mbi dhe nëntokësor. Ai u shpreh se kjo do të ulë trafikun në Tiranë, pasi qytetarët që vijnë nga qytete të tjerë, do të parkojnë mjetet në këto qendra dhe do të shkojnë drejt qendrës së Tiranës me linjat e transportit urban ose me autobusë ekspres. Qytetarët që do të parkojnë mjetin në këto qendra, do paguajnë një biletë me vlerë 2 euro, e cila më pas do të jetë e vlefshme për të lëvizur në linjat e transportit urban gjatë gjithë ditës në Tiranë.

“Ne mendojmë që ta shikojmë Tiranën në dy perspektiva, afatshkurtër dhe afatmesme dhe perspektiva afatgjatë për krijimin e një metropolit që të jetë i ngjashëm me vendet e rajonit, Tirana është pa tram, metro, linjë hekurudhore që ta lidhin me qytete e thjerra. Pavarësisht se ka filluar ndërtimi i hekurudhës me Rinasin, nuk dihet se kur përfundon, atë e dimë që është dhënë me koncesion të familjarët e pushtetarëve. Ne propozojmë që në hyrje të Tiranës në të gjitha arteriet kryesore, në rrugët kryesore, që vijojnë nga rrugët që vijnë në drejtim të Tiranës nga e gjithë Shqipëria, krahu i rrugës së Durrësit, Kavajës, Elbasanit, Arbrit e kështu me radhë do ndërtohen 5 parkime mbi dhe nëntokësor të mëdha, do shërbejnë për parkimin e mjeteve që vijnë nga rrethet. Aty qytetarët do kenë mundësi të marrin transportin publik, kush të dojë mund të ecë me autobusë urban, të tjerët do kenë alternativë edhe autobusë ekspres, të cilët do ta sjellin pa ndalesë nga periferia në qendër dhe nga qendra në periferinë tjetër të Tiranës me dy ndalesa siç e ka gjithë bota. Ai që do parkojë mjetin, te parkimi publik, do marrë një biletë, do paguajë 2 euro. Kjo biletë do i japë mundësinë e aksesimit gjatë gjithë ditës në Tiranë deri në kthim. Një mundësi për të lehtësuar trafikun e brendshëm në tiranë”, tha Bejko.

Po ashtu, qytetarët në çdo stacion autobusi do të kenë mundësi të shohin hartat e udhëtimit të autobusëve.