Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
ChatGPT
OpenAI ka hedhur bombën më të fundit në botën e AI—ChatGPT 4.5, ose siç e quajnë ata, “Orion”. Ky është modeli më i avancuar që kanë nxjerrë deri tani, me më shumë fuqi përpunimi dhe me aftësi për të dhënë përgjigje më të sakta, më natyrale dhe më kreative. Një nga përmirësimet kryesore është reduktimi i “halucinacioneve”—pra ato rastet kur AI thjesht sajon informacione. Kjo do të thotë që tani, teorikisht, duhet t’i besojmë më shumë se kurrë. OpenAI pretendon se ky version është më inteligjent, më i shpejtë dhe më pak konfuz.
Skype
Microsoft ka njoftuar se më 5 maj 2025 do të mbyllë përfundimisht Skype. Lançuar në vitin 2003, Skype ndryshoi mënyrën se si komunikonim në distancë, duke sjellë videocalling nepermjet internetit dhe atë tingullin ikonik të thirrjes që të gjithë e njohim. Në vitin 2011, Microsoft e bleu Skype për 8.5 miliardë dollarë, duke e bërë atë blerjen më të madhe të kompanisë në atë kohë. Tani, Microsoft po inkurajon përdoruesit e Skype të kalojnë në platformën Microsoft Teams, e cila ofron funksionalitete të ngjashme, si menaxhimin e kalendarit dhe organizimin e takimeve. Përdoruesit mund të identifikohen në Teams me kredencialet e tyre ekzistuese të Skype dhe të transferojnë kontaktet dhe bisedat e tyre.
Alexa
Amazon sapo ka prezantuar Alexa AI, versionin më të avancuar të asistentit të saj virtual, duke e çuar konceptin e “shtëpisë smart” në një nivel krejt tjetër. Tani, Alexa mund të bëjë biseda më natyrale, të mbajë mend preferencat e përdoruesit dhe të kryejë detyra komplekse si planifikimi i takimeve, porositja e ushqimeve dhe menaxhimi i plotë i pajisjeve smart. Plus, për ata që duan një shërbim më të avancuar, Amazon ka prezantuar një opsion premium me më shumë funksionalitete. Me këtë përmirësim, Alexa tani mund të kuptojë komanda më natyrale, pa qenë nevoja të flasësh si robot. Ajo mund të krijojë rutina të personalizuara, duke ndezur dritat, rregulluar temperaturën apo edhe duke të kujtuar se ke lënë kafen në mikrovalë. Amazon po e sheh këtë teknologji si një hap drejt të ardhmes, ku çdo gjë në shtëpi do të menaxhohet nga një AI inteligjent.
Robotët
Avride, ka sjellë robotët autonomë të delivery në Japoni, duke filluar operacionet komerciale në qendër të Tokios. Këta robotë do të dorëzojnë porosi nga restorantet dhe ushqime, duke ofruar një zgjidhje inovative për dërgesat urbane. Me përparimet e fundit në teknologjinë autonome, robotët po bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në qytetet e mëdha. Megjithatë, sfidat infrastrukturore dhe rregullatore mund të ndikojnë në shtrirjen e tyre në tregje të ndryshme.
Kamera
Brandi i kamerave Sigma ka prezantuar modelin e saj më të ri, Sigma BF, një kamer që po konsiderohet si “perfeksioni” i kamerave. E ndërtuar nga një bllok i vetëm alumini, kjo kamer 24MP full-frame pa viewfinder elektronik ofron një super dizajn unik dhe një përvojë fotografike ndryshe nga të tjerat. Sigma BF është projektuar për të frymëzuar fotografët, duke mos qenë thjesht një mjet, por një objekt që të fton ta përdorësh. Me estetikën e saj të veçantë dhe ndjesinë e veçantë gjatë përdorimit, ajo synon të krijojë një lidhje emocionale me përdoruesin.
ID.BUZZ
Volkswagen ka kohë që ka prezantuar ID. Buzz, një minibus elektrik që sjell nostalgjinë e viteve ’60 në epokën moderne. Me një motor elektrik që prodhon 282 kuaj fuqi dhe një bateri 86.0 kWh, ID. Buzz ofron një autonomi rreth 377 kilometra. Dizajni i tij ruan linjat klasike të minibus-it legjendar, por me teknologji dhe komoditete moderne. Pavarësisht mungesës së zhurmës tradicionale të motorit, ID. Buzz ofron një përvojë të re ngasjeje, me përshpejtim të qetë dhe teknologji të avancuar. Kjo makinë është ideale për ata që kërkojnë funksionalitet dhe stil në një paketë ekologjike.