Sport

Kaos, dhunë e spektakël/ Derbi i kryeqytetit pa fitues!

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës prodhoi emocione, gola, kartonë, dhunë, kaos, por jo fitues.

Derbi i parë i luajtur në “Arenën e demave” nuk shkoi ashtu siç pritej, e cila nisi me 30 minuta vonesë, kjo për shkak të përleshjeve të tifozerive të të dyja skuadrave, e cila detyroi forcat e rendit të ndërhynin menjëherë.

Sa i përket sfidës në fushë, bardheblutë e nisën takimin mjaft mirë, duke kaluar në avantazh falë një goli të Ernest në minutën e 29’.

Pas këtij goli, “Demat” provuan disa herë për të rikthyer baraspeshën, të cilën e gjetën vetëm falë Sembenes në minutën e 90’ të takimit.

Menjëherë pas kësaj, një situatë tjetër kaotike “shpërtheu” në fushën e lojës, me kartonët e kuq që nuk u kursyen nga kryesori. Bytyçi, Taipi dhe Gudjufi u ndëshkuan te të kuqtë, ndërsa për bardheblutë e pësuan Marku, Gjumsi dhe Mici, teksa sfida u mbyll 1-1.

Kështu Partizani ngjitet momentalisht në vendin e dytë, me “Final 4” që duket i siguruar për “Demat”. Nga ana tjetër, bardheblutë ngjiten momentalisht në vendin e 8-të me 23 pikë, me rrezikun për të rënë nga kategoria që është ende aty.

Ndërkaq një situatë kaotike ka ndodhur përpara startit të derbit të kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës, i pari që zhvillohet në stadiumin “Arena e Demave”.

Përpara se sfida të fillonte, një përplasje e ashpër ka ndodhur ndërmjet tifozerive të të dyja skuadrave, me shumë tifozë që u futën dhe në fushë.

Kjo shkaktoi ndërhyrjen e policisë, për të  vënë nën kontroll situatën, në mënyrë që sfida të vijonte normalisht.

Kritikat ishin të shumta sa i përket këtij takimi, pasi shumë figura të njohura të futbollit, por edhe një pjesë e madhe e tifozëve, kërkuan që derbi mos të zhvillohej në “Arenën e Demave”, e cila sipas tyre nuk i plotësonte kushtet për një takim të tillë.