Aktualitet

Kapet Kokainë, diamante dhe pajisje për zbulimin e metaleve të çmuara në Portin e Durrësit!

Një sasi e dyshuar kokaine, katër gurë të dyshuar si diamante dhe një pajisje elektronike për zbulimin e metaleve të çmuara janë sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë kontrolleve të zhvilluara këtë të mërkurë nga Dogana Shqiptare në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar, zbulimet janë bërë në tre raste të ndryshme gjatë verifikimeve të ushtruara ndaj automjeteve dhe udhëtarëve që mbërritën nga Italia me tragetet e linjës drejt Durrësit.

Rasti i parë u zbulua gjatë kontrollit të një automjeti të ardhur me tragetin Ankona-Durrës. Në bagazhet e mjetit u gjet një valixhe që përmbante një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, së bashku me aksesorët përkatës të montimit.

Në një tjetër kontroll, autoritetet ndaluan një shtetas që udhëtonte me automjet nga Italia. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamante. Gurët janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertizave për të përcaktuar natyrën dhe vlerën e tyre.

LEXO EDHE: Bordi i Transparencës merr vendimin, çmimet e naftës dhe benzinës ulen me 2 lekë

Ndërkohë, rasti tjetër lidhet me zbulimin e një sasie të dyshuar lënde narkotike. Sipas Doganës, në një automjet tjetër u gjet kokainë e fshehur brenda një veshjeje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit.

Rastet iu referuan strukturave kompetente për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore

Njoftimi i plotë i Doganës 

“Dogana Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, bllokuan ditën e sotme gjatë disa kontrolleve të kryera në Portin e Durrësit një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara. Gjatë kontrollit të një automjeti të mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, u konstatua një valixhe që përmbante aparaturën detektuese dhe disa aksesorë të montueshëm. Gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një tjetër automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet. Në një automjet tjetër u zbulua një sasi e dyshuar lënde narkotike, kokainë, e fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit. Rastet iu referuan strukturave kompetente për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore” thuhet në njoftim