Aktualitet Politikë

KAS sot vendos për vlefshmërinë e zgjedhjeve në Elbasan, Tiranë, Fier e Durrës!

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, mblidhet në orën 11:00 për të vendosur nëse do të quhen apo jo të vlefshme rezultatet e zgjedhjeve në katër qarqet e mbetura Elbasan, Tiranë, Fier e Durrës. Vendimi pritet të pasojë tre javë rinumërim, ku u rihapën disa kuti të Elbasanit e të Durrësit, si dhe u kontrolluan plotësisht votat e qarqeve Tiranë e Fier.

Kujtojmë se ishte PD-ja që ankimoi rezultatet e zgjedhjeve duke kërkuar pavlefshmëri e përsëritje të votimeve. Por, në 8 prej qarqeve, kërkesa u rrëzua, ndërsa rezultati u certifikua nga KQZ-ja. Aty ku u vendos rinumërim, rezultoi se PD-ja ishte partia që humbi më shumë vota, ndonëse me ndikim të papërfillshëm.

Të premten e 4 korrikut u mbyll rinumërimi i kutive të Durrësit, 85 prej të cilave ishin të Diasporës dhe nuk u prodhua asnjë ndryshim në rezultat. Demokrati Aulon Kalaja pretendonte se kishte trafikim votash brenda partisë dhe beteja e tij ishte me kandidatin tjetër, ish-prokurorin Arjan Ndoja, me të cilin kishte një diferencë prej 1 mijë votash.

Më shumë diferenca u konstatuan te votat për kandidatët, që në Tiranë u interpretuan si “gabime njerëzore”, ndërsa në Fier pati raste me dyshime serioze për abuzime. Në Fier, rinumërimi i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por e refuzoi, duke ia lënë karrigen Zegjine Çaushit, e cila fitoi në raundin e parë të numërimit.

KQZ-ja ka certifikuar përfundimisht rezultatet për 8 qarqet e tjera, ndërsa janë shpërndarë edhe mandatet. Vendimi u mor pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e PD-së për këto qarqe, duke ezauruar të gjitha hallkat ankimuese lidhur me rezultatin.