Sport

Kategoria Superiore bën pushim, por jo Partizani; ‘Demat’, miqësore me Laçin në 30 dhjetor

Kategoria Superiore uli siparin e tij për vitin 2025 duke marrë pushimet dimërore, por Partizani duket se nuk ka ndërmend të pushojë. Klubi kryeqytetas do të zhvillojë një ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve për pjesën e dytë të kampionatit e cila do të nisë në 10 janar të vitit 2026.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ‘Të Kuqtë’ bënë të ditur se në 30 dhjetor do të luajnë miqësoren ndaj Laçit, një përballje kjo që do të luhet në orën 11:00 të kësaj date në stadiumin ‘Arena e Demave’.

Partizani i mbylli dy fazat e para të Kategorisë Superiore në vendin e 6 të klasifikimit me 23 pikë, ndërsa Laçi është në vendin e dytë të renditjes në Kategorinë e Parë pas Skënderbeut dhe për sezonin e ardhshëm synon kthimin në elitën e futbollit shqiptar.

Ndërkaq, kujtojmë se futbolli në vend ende nuk e ka mbyllur 2025, pasi të dielën e 28 dhjetorit do të luhet finalja e Superkupës mes Egnatias dhe Dinamos nga ku do të mësohet skuadra që do të fitojë trofeun e parë të sezonit 2025-26.