Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me zhvillimet e sotme në vazhdimin e seancës së konstitutimit.
Ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale e një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit, thuhet në një reagim të KDI-së në Facebook. Ky veprim, jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare.
Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës, veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit, thuhet më tej në reagim.
KDI fton kryesuesin e seancës, z. Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues.
Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, vuri në dukje se përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë “akrobacione me mënyrën e votimit për kryetarin e Kuvendit paraqet aktin e fundit të humbjes së besimit dhe kuptueshmërisë së dialogut politik për tejkalimin e krizës së tanishme”. Sipas tij, mënyra e votimit nuk e zgjidh krizën, por këtë mund ta bëjë vetëm marrëveshja politike.
Imponimi nuk zgjidh asgjë, përkundrazi tregon moskapacitet për marrëveshje! E drejta për të propozuar nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes, shkroi Peci në Facebook. Peci ka vlerësuar se është koha e fundit që të kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese, për ta tejkaluar këtë bllokadë.