Bota

Keir Starmer mbajti fjalimin e fundit si kryeministër i Britanisë së Madhe: Puna ime ka përfunduar! Sot nis epoka e Andrew Burnham

Sot është dita e fundit e Keir Starmer si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe dita e parë për Andy Burnham, ish-kryebashkiakun e Mançesterit, i cili që nga e premtja është lideri i ri i Laburistëve.

Në orën 12:00 (me orën tonë), Starmer mbajti fjalimin e tij të fundit në numrin 10 të Downing Street, duke e nisur me një “Faleminderit”. Më pas ai shtoi: “Puna ime ka përfunduar. Ndryshimet që kemi bërë u përkasin të gjithëve. Largohem me një buzëqeshje, krenar për gjithçka që kemi arritur.” Duke folur për Burnham, të cilit po i dorëzon detyrën, ai tha: “I uroj Burnham-it çdo të mirë.”

Në fjalimin e tij, Starmer deklaroi: “Për gjashtë vjet e gjysmë e nxora partinë tonë nga një humbje historike në vitin 2019, e transformova duke e bërë të gatshme për të qeverisur vendin dhe arrita një fitore dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.”

Pas fjalimit, Starmer do të paraqitet te Mbreti Karli III në Pallatin Buckingham për të dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen. Edhe Burnham do të takohet me sovranin, përpara se të mbajë fjalimin e tij të marrjes së detyrës.

Në fjalimin e tij, Burnham synon të konfirmojë angazhimin për t’i rikthyer “shpresën” Mbretërisë së Bashkuar, duke vënë njëkohësisht theksin te “uniteti dhe stabiliteti”. Ndër prioritetet e tij është t’u japë “frymëmarrje” britanikëve që po përballen me vështirësi për shkak të “kostos së jetesës”, si edhe të ndërmarrë masa që të sjellin rezultate “të prekshme” për qytetarët në një kohë sa më të shkurtër.

Ai do të premtojë gjithashtu, njësoj si paraardhësit e tij të fundit, rikthimin e “besimit në politikë” në Mbretërinë e Bashkuar, duke pranuar se është “plotësisht i vetëdijshëm” se është kryeministri i shtatë në vetëm 10 vjet, në një vend ku stabiliteti qeverisës i së kaluarës duket tashmë një kujtim. Edhe më shumë pas Brexit-it.

Gjatë pasdites do të bëhet publike edhe lista e ministrave të qeverisë së re./CorrieredellaSera