Kelly Clarkson ka folur pa dorashka për jetën e saj personale gjatë një koncerti në Las Vegas, duke pranuar se, pas divorcit, po e shijon plotësisht periudhën si beqare dhe nuk ndien aspak presion për të nisur një romancë të re.
Këngëtarja tregoi se shpesh përballet me pyetjen se përse nuk është në një lidhje, por tha se përgjigjja e saj është shumë e thjeshtë.
Sipas Clarkson, përvoja personale, por edhe ajo që sheh te çiftet përreth, e kanë bërë të kuptojë se aktualisht ndihet më e lumtur duke qenë vetëm.
Me humor, artistja u shpreh se shumë marrëdhënie që sheh rreth vetes e bëjnë jetën si beqare të duket edhe më tërheqëse.
Ajo rrëfeu se, kur dëgjon apo sheh konfliktet dhe dramat që përjetojnë disa çifte, shpesh mendon se është me fat që kthehet në një shtëpi të qetë.
Për Kelly Clarkson, pikërisht qetësia dhe mungesa e dramave janë ndër arsyet kryesore pse po e shijon këtë fazë të jetës së saj.
Gjatë bisedës me publikun, këngëtarja ndau edhe mendimin e saj për sfidat që shoqërojnë një marrëdhënie romantike.
Sipas saj, vështirësia nuk qëndron vetëm te gjetja e partnerit të duhur, por edhe te ruajtja e dashurisë dhe e pasionit me kalimin e kohës.
Clarkson theksoi se një lidhje kërkon përkushtim të vazhdueshëm, komunikim dhe përpjekje nga të dy partnerët, në mënyrë që rutina e përditshme të mos e zbehë lidhjen dhe ta kthejë atë në monotoni.
Deklarata e artistes u prit me duartrokitje nga publiku në Las Vegas, ndërsa shumë fansa e vlerësuan sinqeritetin e saj dhe mënyrën e hapur se si flet për jetën pas divorcit.