Bota

Kërcënimet e Trump për tarifa ndaj importeve kanadeze, reagon sërish kryeministri Carney: Janë pjesë e strategjisë negociuese!

Kryeministri kanadez Mark Carney minimizoi kërcënimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 100% ndaj importeve kanadeze, duke i cilësuar ato si pjesë të një strategjie negociuese në kuadër të marrëdhënieve tregtare.

“Së shpejti do të fillojmë negociatat, ose një rishikim të marrëveshjes sonë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën (USMCA). Presidenti është një negociator me përvojë dhe mendoj se disa nga këto komente dhe qëndrime duhet të shihen në një kontekst më të gjerë”, deklaroi Carney.

Donald Trump paralajmëroi të shtunën se SHBA do të vendosë “tarifa 100%” mbi importet nga Kanadaja, nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Kinën. Kërcënimi erdhi pas njoftimit të Carney për një marrëveshje paraprake të arritur në Pekin në mesin e janarit.

Pavarësisht toneve të ashpra nga Uashingtoni, qeveria kanadeze duket e vendosur ta trajtojë situatën me qetësi, duke e konsideruar presionin tarifor si mjet negociues dhe jo si një masë të menjëhershme ndëshkuese.

Sipas mediave të huaja ai paralajmëroi kryeministrin kanadez Mark Carney se një marrëveshje e tillë do të rrezikonte vendin e tij.

LEXO EDHE: Rritet bilanci i viktimave nga moti i keq në SHBA/ Shkon në 17 numri i të vdekurve, mes tyre dhe një 16-vjeçare!

“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta shkatërrojë komplet, duke përfshirë bizneset, strukturën sociale dhe mënyrën e përgjithshme të jetesës së tyre. Nëse Kanadaja bën marrëveshje me Kinën, menjëherë do të përballen me një tarifë 100% mbi të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në Truth Social.

Gjatë një vizite të fundit në Kinë, Carney e quajti superfuqinë aziatike “partner të besueshëm dhe të parashikueshëm” dhe në Davos inkurajoi liderët evropianë të kërkojnë investime nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.

LEXO EDHE: SHBA e BE, të ndërvarura nga tregtia/ A është kaq e lehtë “lufta” e hapur mes tyre?!