Pronari i një hoteli në Borsh u arrestua pasi kërcënoi me armë zjarri dy punonjëse të tij. Në pranga u vu Emanuel Shkëmbi, i cili pasi u konfliktua verbalisht me punonjëset A.O dhe R.O, nënë e bijë, i kanosi me armë zjarri. Ngjarja ndodhi një ditë më parë në ambientet e hotelit.
Nën hetim u vu edhe babai i tij, A.Sh, i cili ka goditur një shtetase me inicialet A.K. Nën hetim është vënë edhe një tjetër person, me inicialet P.B, i akuzuar se ka fshehur armën e zjarrit pas konfliktit. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes. Policia njofton se ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë, 1 krehër pistolete, si dhe 8 fishekë 9 mm.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi:
• E.Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A.O., 21 vjeçe dhe R.O., 53 vjeçe, nënë e bijë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
• A.Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.;
• P.B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E.Sh.
Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.