Liderët e vendeve më të fuqishme europiane i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë, të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës. Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni. Thirrja vjen pas takimeve të veçanta me Albin Kurtin e Aleksander Vuçiçin në Bruksel. Palëve iu prezantua një plan, detajet e të cilit nuk janë bërë publike.
Në deklaratë, thuhet se “projektstatuti europian mbi Asociacionin përfshin një mënyrë moderne për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane”.
Deklarata e plotë:
Nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin detyrimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Faza e zbatimit duhet të përparojë në atë që paralelisht, të dyja palët të përmbushin detyrimet përkatëse, hap pas hapi, bazuar në parimin që duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka në këmbim. Tani, vëmendja duhet të përqendrohet në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.
Më tej, udhëheqësit europianë i bënë thirrje Kosovës që të “nisë procedurën për themelimin e Asociacionit”, ashtu siç është parashikuar në projektstatut, ndërsa Serbisë, “të bëjë njohjen de-facto të Kosovës”.
Në një konferencë për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se “drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë kur më 21 tetor shkuan në Prishtinë, është shkruar me kujdes e në përputhje me kushtetutën e Kosovës”. Kurti theksoi:
Drafti për vetëmenaxhim e që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës, Kushtetutës e ligjeve të Kosovës e që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë. Pra është Gjykata Kushtetuese, e cila jep edhe vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje.