Një komision ndërparlamentar mes BE-së dhe Kosovës i ka bërë thirrje Këshillit të BE-së t’i japë mandat Komisionit Europian për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Komisioni, i cili vepron në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Kosovës dhe BE-së, gjithashtu u ka kërkuar pesë vendeve anëtare të bllokut që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë “sa më parë” një gjë të tillë.
Mbështesim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, përsërisim se shtetet e ardhshme anëtare duhet të vlerësohen në bazë të meritave individuale, thuhet në rekomandimin e përbashkët të komisionit.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022. Prej atëherë, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar atë.
Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Në rekomandimet që janë miratuar përshëndetet përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në BE, që është synim me mbështetje të fuqishme nga qytetarët.
Shprehim bindjen e thellë se procesi i integrimit në BE sjell një fuqi domethënëse transformuese dhe konsolidim demokratik, integritetit institucional dhe kohezionin socio-ekonomik”, thuhet në rekomandimet.
Temë kryesore e diskutimeve ishin përparimi i Kosovës në reformat e lidhura me BE-në, sundimi i ligjit dhe të drejtat e pakicave në Kosovë, dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkohë, komisioni gjithashtu theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellët mes dy vendeve fqinje. Këto kërkesa u miratuan nga delegacioni i përbashkët në takimin e parë të zhvilluar sot në Bruksel.