Aktualitet

Këtë vit, KKT-ja miratoi 127 stacione plazhi për privatët!

Me sezonin veror që ka hyrë në pikun e tij me muajt korrik dhe gusht që kanë fluksin më të lartë të pushuesve në bregdet, të paktën 127 subjekte nga Shkodra në Sarandë kanë fituar të drejtën për stacione plazhi. Parimisht, ofrojnë akomodim e nga aplikimet e bëra në sistem kanë fituar të drejtën për të shfrytëzuar edhe plazhin.

U zbardhën edhe lejet e dhëna për shfrytëzimin e plazheve të dhëna nga Këshilli Kombëtar i Territorit ku përveç bashkive që kanë vijë bregdetare, në listë përfshihet edhe Pogradeci për shfrytëzimin që i bëhet bregut të Liqenit të Ohrit.

Gjatë vitit të kaluar, për shkak të problemeve të shfaqura me dendësinë e shezloneve dhe çmimeve që aplikoheshin në disa rajone nga ana përfaqësuesve të qeverisë, u premtua se situata do të ndryshonte me aplikimet për shfrytëzimin e bregut gjatë verës 2025.

Këtë vit ka një prani më të madhe të plazheve publike. Në zonat ranore me breg të gjerë është kërkuar që subjektet të lënë të lirë hapësira 7-8 metra nga vija e bregut kurse në ato më në jug, 2.5-3 metra që mund të shfrytëzohen nga publiku.

Gjatë inspektimeve të javëve të fundit në bashkitë me vijë bregdetare, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro  u shpreh se diferenca në favor të plazheve publike pritet të jetë edhe më e madhe vitin tjetër. Sipas Kumbaros, kjo do të vijë si efekt i përfundimit të kontratave 5 vjeçare me disa subjekte, të lidhura në vitin 2021 dhe vijojnë ende.

Këtë vit, disa bashki zgjidhën menaxhimin e plazheve të vetme duke krijuar ndërmarrje, si Lezha, ndërkohë që edhe Shkodra ka ndjekur një model të vetin. Ndryshe nga vitet e tjera, çmimet e shezloneve ende nuk janë bërë pjesë “virale” e komenteve në rrjetet sociale me përjashtim të Ksamilit ku sërish janë të huajt që shprehin habi nga çmimet 20-30 euro për dy shezlone dhe një çadër.

Përgjithësisht, në bregdetin e Durrësit e të Vlorës çmimet e shezloneve në fundjave kanë qenë në një mesatare prej 1000 lekësh me një ulje gjatë javës (kryesisht gjatë qershorit). Në pjesën më veriore të bregdetit, çmimet janë shfaqur edhe më ekonomike me një mesatare 500 deri 1000 lekë. / Monitor