Në takimin e radhës të grupit të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë u sqarua përmbajtja dhe qëllimi i udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal, i cili synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë drejt një kujdesi të standardizuar, etik dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, theksoi se procesi i integrimit europian mbështetet në standarde të qarta për mbrojtjen nga diskriminimi, garantimin e të drejtave të njeriut, barazinë para ligjit dhe aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët. Sipas saj, këto standarde janë reflektuar në legjislacionin shqiptar dhe në planet kombëtare të veprimit, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen dhe përfshirjen e personave LGBTI.
Zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se udhëzuesi klinik i referohet vetëm personave të rritur dhe nuk parashikon rimbursim apo financim të barnave hormonale. Ajo theksoi se dokumenti ka karakter udhëzues për profesionistët e shëndetësisë dhe synon garantimin e një kujdesi cilësor e të standardizuar.
Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë pranë QSUT, Agron Ylli, bëri të ditur se gjatë periudhës maj–qershor 2026 në këtë shërbim nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rekomandim apo trajtim hormonal.
Përfaqësuesit e Këshillit të Europës në Shqipëri theksuan se institucioni ka mbështetur këtë proces që prej vitit 2023, duke ndjekur zbatimin e tij në përputhje me rekomandimet dhe standardet europiane.
Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Giulia Re, u shpreh se aksesi në kujdesin shëndetësor të përshtatshëm është një e drejtë themelore dhe jo një privilegj. Ajo nënvizoi se rekomandimet e Këshillit të Europës u kërkojnë shteteve anëtare të garantojnë shërbime shëndetësore pa diskriminim për të gjithë qytetarët.
Sipas saj, masat e ndërmarra në kuadër të Planit të Veprimit për personat LGBTI përfaqësojnë zbatimin konkret të angazhimeve të Shqipërisë në përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian, duke forcuar politikat që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe respekt për çdo qytetar.