Sa pjesë e gjenomit njerëzor ka vërtet rëndësi funksionale? Për dekada, shkencëtarët janë ndarë mes dy qëndrimeve; njëra palë argumenton se fakti që shumica e ADN-së është aktive do të thotë se ajo ka një funksion të rëndësishëm, ndërsa pala tjetër beson se edhe ADN-ja krejtësisht rastësore do të shfaqte aktivitet të ngjashëm biologjik. Tani, një studim i ri i publikuar sjell prova në favor të kësaj teze të dytë, shkruan New Scientist.
Studiuesit kanë përdorur qeliza hibride që përmbajnë ADN njerëzore dhe sasi të mëdha ADN-je bimore, duke treguar se aktiviteti i gjenomit, në një masë të madhe është thjesht “zhurmë” biologjike dhe jo shenjë funksioni. “Një pjesë e madhe e këtij aktiviteti mund të shpjegohet thjesht si zhurmë e sfondit. Kjo përputhet gjerësisht me idenë se shumica e ADN-së është e pavlefshme nga pikëpamja funksionale”, thotë Brett Adey nga Universiteti i Auckland-it në Zelandën e Re.
Çfarë bën në të vërtetë ADN-ja? Funksioni kryesor i ADN-së është të ruajë udhëzimet për prodhimin e proteinave, makineritë molekulare që kryejnë pothuajse gjithë punën në qeliza. Këto udhëzime kopjohen në ARN mesazhere (mRNA), të cilat dërgohen te ribozomet për sintezën e proteinave. Fillimisht mendohej se pothuajse e gjithë ADN-ja kishte këtë rol. Sot dihet se vetëm rreth 1.2% e gjenomit njerëzor kodon për proteina. Pjesa tjetër mbetet kryesisht jo-koduese dhe për dekada është debatuar nëse ajo ka ndonjë funksion real apo është thjesht mbetje evolutive.