Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë Këshillit Bashkiak të Shkodrës që tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” të emërohen me emrat e katër legjendave që kanë shkruar historinë me fanellën kuqeblu.
Konkretisht emrat e Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit.
Bëhet fjalë për tribunën VIP, atë A, B dhe C. Në shkresën e saj, Vllaznia kërkon që për të shmangur keqkuptimet, zgjedhja e tribunave me shkronjat të jetë rastësore.
LEXO EDHE: Ka mahnitur breza të tërë, Partizani kujton Panajot Panon: 15 vite pa legjendën
“Sot Klubi i Futbollit Vllaznia i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak Shkodër me një kërkesë për emërtimin e katër tribunave të stadiumit “Loro Boriçi” me emrat e katër figurave të mëdha të futbollit shkodran e shqiptar e konkretisht Ramazan Rragamit, Paulin Ndojës, Medin Zhegës dhe Sabah Bizit.
Një kërkesë kjo si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë prej tyre për klubin tonë dhe futbollin shqiptar në tërësi”, thuhet në reagimin e Vllaznisë.
Kjo lëvizje e klubit shkodran vjen pak ditë pasi Sabah Bizi u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.