Rajoni

KFOR: Mirëpresim respektimin e marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri të Kosovës!

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga Prishtina të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit. Ky qëndrim vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, makina të FSK-së qëndruan në Mitrovicën e Veriut. FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën.

KFOR-i u shpreh se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së hyri gabimisht në Mitrovicë të Veriut dhe u largua me shpejtësi që aty.

KFOR-i mirëpret respektimin e vazhdueshëm nga FSK-ja të marrëveshjes për të mos dislokuar personel të FSK-së në veri të Kosovës, pa njoftim paraprak dhe pa miratimin e komandantit të KFOR-it. Ky qëndrim u rikthesua gjatë bisedës telefonike mes komandantit të KFOR-it dhe komandantit të FSK-së, të zhvilluar dje. Komandanti i FSK-së theksoi se njësiti i FSK-së gabimisht devijoi përkohësisht nga itinerari i tij, deklaroi KFOR në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

FSK-ja tha se pjesëtarë të saj me disa automjete u futën gabimisht në veri të vendit, pasi kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes. Sipas kësaj force, incidenti ndodhi rreth orës 10:30 të së enjtes, gjatë lëvizjes së autokolonës nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëtarë të FSK-së “e humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”.

Kjo ngjarje nxiti reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët e cilësuan si shkelje të marrëveshjes për dislokimin e FSK-së në veri, teksa Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit vuri në dukje se kjo ngjarje ka rritur tensionet.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një peroni që ishte hedhur nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028-ën.