Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Kinën se do të përballet me “pasoja të ashpra nëse ndihmon Rusinë në pushtimin e Ukrainës”. Mediat amerikane citojnë burime të rezervuara, sipas të cilave, “Rusia i ka kërkuar Kinës t’i ofrojë ndihmë ushtarake”. Ambasada kineze në Uashington deklaroi se “nuk është në dijeni të kësaj kërkese”.
Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, tha se “Uashingtoni po komunikon drejtpërdrejtë dhe privatisht me Pekinin, duke i bërë të qartë se do të ketë pasoja të ashpra nëse mbështet Rusinë”.
Paralajmërimi vjen përpara një takimi që Sullivan zhvillon sot në Romë me zyrtarë të lartë kinezë. Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, Pekini ka shprehur mbështetje retorike për aleatën e tij, Moskën, por nuk është e qartë publikisht nëse i ka ofruar ndonjë përkrahje ushtarake ose ekonomike.
Në të njëjtën kohë, Kina shprehu “mbështetje të palëkundur” edhe për sovranitetin e Ukrainës. Gjithashtu, bëri thirrje për paqe e konfirmoi gatishmërinë të ndihmojë në përfundimin e luftës përmes diplomacisë. Gjithnjë referuar zyrtarëve amerikanë të cituar në media, në mënyrë specifike, Rusia i kërkoi Kinës pajisje ushtarake, përfshirë dronë. Nuk dihet reagimi i palës kineze.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i bëri thirrje Perëndimit që ta furnizojë Ukrainën me armë dhe të zbatojë më shumë sanksione kundër Rusisë, që siç tha, “të parandalohet përfshirja e vendeve të tjera në një konflikt më të gjerë”. Në një postim në Twitter, Kuleba shkruan:
Për ata jashtë Ukrainës që kanë frikë se mund të tërhiqen në një luftë të tretë botërore, Ukraina po lufton me sukses. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni të luftojmë. Na i siguroni të gjitha armët e nevojshme! Zbatoni më shumë sanksione kundër Rusisë dhe izolojeni atë plotësisht! Ndihmojeni Ukrainën që ta detyrojë Putinin të dështojë dhe do ta shmangni një luftë më të madhe!
To those abroad scared of being ‘dragged into WWIII’. Ukraine fights back successfully. We need you to help us fight. Provide us with all necessary weapons. Apply more sanctions on Russia and isolate it fully. Help Ukraine force Putin into failure and you will avert a larger war.
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 14, 2022
Vazhdimisht, Kievi u ka kërkuar aleatëve që të bëjnë më shumë për ta ndihmuar t’i rezistojë pushtimit rus. Presidenti Vladimir Putin dha urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Disa qeveri perëndimore kanë shprehur frikën se një veprim i tillë mund të tërheqë vende të tjera në luftë, përfshirë vendet anëtare të NATO-s. Perëndimi është duke e ndihmuar Ukrainën me armatim dhe financa. Përkundër thirrjeve të Kievit, Perëndimi e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, nga frika se një gjë e tillë do të mund të shkaktonte një luftë të tretë botërore.