Pas këngës “Bagëti e Bujqësi” të publikuar në 15 tetor 2021, artisti që spikat në çdo produksion të tij, Killua, Aris Demaj, ashtu siç dhe premtoi kur ishte i ftuar disa muaj më parë në “Wake Up” nuk është ndalur përsa i përket projekteve. Killua së fundmi ka sjellë albumin e tij “Rrno për me tregue” frymëzuar nga vëllimi i librave të At Zef Pllumi, album i cili përmban 8 këngë. Veç këngëve të albumit të cilat vijnë me mesazhe të fuqishme ajo që spikat është dhe kopertina e albumit, për të cilat më gjatë do të na rrëfejë vetë ai.
Aris ti e ke ndarë veten në dy alterego, përse?
Është një album i ri, sepse unë e kam ndarë veten në dy alter-ego, Killua dhe Sir-A. Tek “Ktu ka Juda shpinë” është Sir-A. Kjo i përket gjeneratës sime që bën muzikë për të shëruar këtë lloj gjenerate, flet për traumat, problemet sociale. Kurse ato të Killua-s janë për të frymëzuar gjeneratën e re me gjëra të reja.
Pas rikthimit me “Bagëti e Bujqësi” ti nuk je ndalur, pasi së fundmi ke prezantuar albumin tënd “Rrno për me tregue”. Përse ky titull? Vjen si një lloj thirrje?
Është thirrje. Nëse dikush ka lexuar librat e At Zef Pllumit, do të shohi që ai shfaq problemet dhe traumat e sistemit komunist të asaj kohe. Pavarësisht se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe sistemet tona kanë ndryshuar, vuajtjet tona psikologjike, emocionale, janë të njëjtat. Por kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk i vuajnë me të njëjtin intensitet. Dhe unë kam sjellë të gjitha problematikat e lagjjes sime, vendit ku unë rri.
Një album i cili ka nisur si nevojë e jotja për të rrëfyer histori të atyre që t’kanë pëshpërit në vesh copëza të jetës, siç dhe ti e ke përshkruar në Instagramin tënd. Ka qenë e vështirë të ruash origjinalitetin dhe anonimatin e rrëfyesve?
Ka qenë disi e vështirë sepse duhet të ruaja gjuhën e personazhit. Pra nëse ai fliste me fjalë të thjeshta, unë mundohesha të isha sa më i thjeshtë, por ama t’i jepja edhe kuptim historisë së tij. Por e vërteta është se kur përfshihesh në një gjë, fillojnë e ndryshojnë edhe rolet. Kur përfshihesh në një histori merr trajtën e personazhit. Dhe unë mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim, mes atij që e dëgjon dhe atij që e thotë.