Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë nuk u përfshi në hartimin e Kodit të ri Penal shqiptar. Këtë përgjigje ktheu BE-ja për Top Channel ndërsa Brukseli inkurajon Shqipërinë të bëjë ndryshimet sipas standarteve të unionit. Po ashtu, shprehet gati të japë ndihmë teknike dhe inkurajon vendin tonë t’i japë përparësi ndryshimeve legjislative, të nevojshme për të përmbushur standartet në grupkapitullin e parë, Themeloret.
Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.
Reagimi i plotë:
Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria. Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.
Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim./Top Channel