Në një botë ku angazhimi konstant është bërë normë, praktika holandeze e “Niksen”, arti për të mos bërë asgjë, po fiton vëmendje si një mënyrë radikale për të rivendosur ekuilibrin mendor dhe fizik.
Ndryshe nga meditimi apo mindfulness-i, Niksen nuk kërkon fokus të thellë apo udhëzim. Është thjesht leja që i jep vetes për të bërë… asgjë. Të ulesh, të sodisësh dritën që hyn nga dritarja, të ndalosh së menduari për çfarë duhet bërë më pas. Duket e thjeshtë, por në praktikë është sfiduese sepse mendjet tona janë trajnuar të ndihen fajtorë nëse nuk janë të zëna.

Sipas psikologëve, Niksen redukton kortizolin, hormonin e stresit dhe rrit krijimtarinë. Kur nuk je aktivisht duke menduar për diçka, truri kalon në një gjendje “mode default”, ku nënndërgjegjja ka mundësi të përpunojë informacionin, të lidhë ide të shpërndara dhe të gjenerojë zgjidhje të reja.
Si ta praktikosh Niksen?
Fillimisht, fillo me 5 minuta në ditë. Mbyll laptopin, larg telefonin, ulu diku që të bën të ndihesh rehat dhe mos kërko të bësh apo të mendosh asgjë. Mund të ndodhë që të ndihesh në faj apo në siklet, por me praktikë do të mësohesh me hapësirën bosh, që në fakt është hapësirë për veten. Në kohën e performancës së pandërprerë, të lejosh veten të ekzistojë pa qëllim është një akt vetëkujdesi, por edhe një qëndrim ndaj një bote që ka harruar të ndalojë.