Lando Norris tregoi sportivitet, duke i njohur meritat shokut të skuadrës në Çmimin e Madh të Belgjikës: “Oskari u tregua më i zoti, nuk ka shumë për të thënë. Ai hyri me më shumë bindje dhe e meritoi shkallën e parë të podiumit.
Nuk ka kuptim të flasësh për gabimet e vogla që bëra. Edhe nëse do të kisha drejtuar në mënyrë perfekte sot, nuk do të kisha mundur të fitoja.
Është diçka e bukur që arritëm një dopietë me MekLarenin këtu në Spa pas kaq shumë vitesh. Tani na pret Budapesti, një nga pistat e mia të preferuara. Më përshtatet shumë më tepër sesa Belgjika, dhe kam arritur rezultate të mira atje. Pres me padurim”, u shpreh Norris.
Në pistën e famshme belge, ashtu siç pritej, starti ishte kaotik për shkak të reshjeve të shiut, që shtynë fillimin e garës për më shumë se një orë dhe në fund, të gjitha skuadrat u vendosën pas makinës së sigurisë që drejtoi në xhirot e para. Por me fillimin e garës, Piastri i mori me shpejtësi vendin e parë Norris që kishte siguruar pole-position, duke u vënë në kryesim dhe duke marrë komandën në strategjitë brenda ekipit MekLaren.
Kështu, kur pista nisi të thahej, ai ishte i pari që hyri në bokse, duke marrë gomat e ndërmjetme e duke lënë Norris me zgjedhjen e vështirë të gomave të forta. Piastri ia doli të menaxhonte mirë gomat e tij duke lënë pas shokun e skuadrës deri në fund për të marrë një fitore të rëndësishme për titullin kampion.
Pas krahëve të tyre, vendi i tretë i shkoi Sharl Lëklerk me Ferrarin, i cili po jep shenja të ringjalljes, edhe pse skuadra italiane vazhdon të jetë shumë larg pretendimeve që ka për titujt kampionë. Maks Vershtapen u desh të kënaqej me vendin e katërt, ndërsa pas tij vazhduan me radhë Rasëll, Albon, Hemilton, Louson, Bortoleto dhe Gasli të cilët përfunduan në zonën e pikëve.
Për t’u theksuar është sidomos pozicioni i Hemilton, i cili ishte i pari që bëri ndërrimin e gomave në mes të garës dhe përfitoi më pas ndërsa të tjerët e kopjonin, për t’u ngjitur disa shkallë në klasifikim pas startit që bëri nga vija e bokseve.