Rajoni

Komisioni Europian e miratoi Paketën e Zgjerimit!

Në takimin e kolegjit të 27 komisionerëve europianë, sot u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Komisioni Europian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën e Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.

Po ashtu, Brukseli zyrtar rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me Bashkimin Europian kur të arrihet shkalla e nevojshme e dakordësisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars të 2024-ës për çdo progres.

Përpjekjet për të arritur dakordësi, që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave kishin hasur në kundërshtime, gjatë takimit të shefave të kabineteve të zhvilluar dje. Në këtë takim, zakonisht dakordësohet teksti final, para se të miratohet.

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces, mes tyre për gjashtë të rajonit të Ballkanit Perëndimor si Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi. Gjithashtu për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Raport Progresi ende hartohet për Turqinë, që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Europian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërsa vendimet formale miratohen në Këshillin Europian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

Rekomandimet dhe raportet e miratuara sot në Komisionin Europian do të jenë në rend dite në takimin e radhës së Këshillit Europian, që do të mbahet në dhjetor. Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, dje Radio Evropa e Lirë publikoi përmbajtjen e disa drafteve.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Europian ka thënë se vendi shënoi “përparim të kufizuar”.

Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin europian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e detyrimeve të saj kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]. Formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim.