“Ndonëse politika e shtetësisë është kompetencë e Serbisë, numri në rritje i shtetasve rusë që përmes marrjes së shtetësisë serbe, fitojnë mundësinë e hyrjes pa viza në Bashkimin Evropian, përbën sfidë të mundshme sigurie për bllokun”, vlerësoi Komisioni Evropian.
Mbi përparimin e Serbisë në kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, thuhet se është rritur numri i shtetësive të dhëna për shtetasit rusë.
Pavarësisht të drejtës sovrane të Serbisë për të vendosur mbi politikat e saj të shtetësisë dhe natyralizimit, fitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetasit rusë përmes dhënies së shtetësisë serbe, numri i të cilëve është rritur krahasuar me vitet e mëparshme, paraqet rreziqe të mundshme sigurie për BE-në, thuhet në dokumentin joformal të KE-së, të parë nga Radio Evropa e Lirë (REL).
Ky dokument ishte çështje diskutimi në nivel diplomatësh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në fund të majit.
Serbia duhet ta përmirësojë kontrollin e kërkesave për viza të paraqitura nga shtetas të vendeve që konsiderohen me rrezik në aspektin e emigracionit të parregullt ose të sigurisë.
Disa shtete të Bashkimit Evropian po ushtrojnë presion mbi Komisionin, për të propozuar një ligj që do të lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetasit rusë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Sipas BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për zonën Shengen për rusët, u rrit vitin e kaluar në pothuajse 480 mijë, niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, më 2022-shin.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, njoftoi se Serbia nuk do të vendosë viza për shtetasit rusë. Sipas kushteve të Planit të Rritjes, deri në fund të vitit, shteti serb duhet të vendosë viza për të paktën tre vende.
12 “vende të treta” gëzojnë regjim pa viza me Serbinë, por jo me BE-në: Armenia, Azerbajxhani, Bahrejni, Bjellorusia, Kina, Indonezia, Xhamajka, Kirgistani, Kazakistani, Rusia, Surinami e Turqia.