Një gjykatë në Korenë e Jugut lëshoi urdhër-arrest për presidentin Yoon Suk Yeol, si dhe urdhëroi kontrollin e rezidencës e zyrës së tij. Hapat pasojnë dyshimet për rebelim në lidhje me shpalljen e ligjit ushtarak për fare pak kohë. Hera e parë që lëshohet fletarrest për një president në detyrë në Korenë e Jugut. Por, ekspertët thonë se ka pak gjasa për prangosje apo kontrolle, nëse Yoon nuk shkarkohet nga detyra fillimisht.
Gjykata e Qarkut në Seul dha urdhrin për arrestimin e Yoon-it dhe për kontrollin e zyrës presidenciale e të rezidencës së tij në qendër të Seulit, sipas një komunikate nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, që po drejton hetimin bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake. Hetimi kryhet për të parë nëse shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor përbën kryengritje.
Sipas ligjit koreano-jugor, lideri i një rebelimi mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor. Kryengritja është një prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet. Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend.
Ligji ushtarak zgjati vetëm disa orë. Më pas, Parlamenti votoi për ta rrëzuar dhe Yoon u tërhoq. Sipas ligjit, presidenti në Korenë e Jugut lejohet ta shpallë ligjin ushtarak vetëm gjatë kohës së luftës apo emergjencave të ngjashme e nuk ka të drejtë ta pezullojë punën e Parlamentit qoftë edhe me ligj ushtarak.
Yoon ka ngulur këmbë se shpallja e ligjit ushtarak prejt tij ishte veprim ligjor, duke e cilësuar “paralajmërim për partinë kryesore opozitare, Partia Demokratike”. Kjo forcë ka përdorur shumicën legjislative për të rrëzuar zyrtarët e lartë dhe minuar buxhetin e Qeverisë. Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut pritet të vendosë për shkarkimin apo kthimin në detyrë të Yoon-it.
Ekspertët thanë se Yoon pritet ta shpërfillë fletarrestin, siç ka injoruar kërkesat e vazhdueshme nga hetuesit për t’u marrë në pyetje. Shërbimi presidencial i sigurisë nuk i ka lejuar të kontrollojnë as zyrën e as rezidencën e Yoon-it, me pretendimin se ka sekrete shtetërore.
Yoon Kap-keun, avokat i presidentit, e quajti fletarrestin të “pavlefshëm dhe të paligjshëm”. Shërbimi presidencial i sigurisë ka thënë se do t’i ofrojë siguri Yoon-it në përputhje me ligjin. Agjencia kundër Korrupsionit ka deklaruar se nuk ka plane të menjëhershme si t’i zbatojë urdhrat për arrestim dhe kontrolle ndaj tij.