Rajoni

Kosova më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës, i pranohet aplikimi në KiE

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave. 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime ishte rezultati i votimit.

Shtatë vendet që votuan kundër ishin Serbia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Rumania, Qipro, Spanja dhe Hungaria. Ndërsa në vendet që abstenuan Greqia, Sllovakia, Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë Hercegovina.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Pas këtij vendimi ka reaguar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila falenderoi aleatët që votuan në favor të Kosovës.

“Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”, shkroi ajo në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti, komentoi këtë votim po ashtu duke thënë se Kosova “do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Për këtë votim të rëndësishëm kanë reaguar edhe disa prej krerëve të politikës shqiptare, presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka duke uruar që Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e KiE me të drejta të plota.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion është një prej temave edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Therese Blanche, që po zhvillohet në Luksemburg dhe sipas burimeve diplomatike për mediat e Kosovës, pritet që ky proces i anëtarësimit në KiE të përmbyllet deri në fund të këtij viti.

Delegacioni serb i pranishëm gjatë votimit, ka braktisur sallën menjëherë pasi shumica e vendeve votuan pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke deklaruar se Serbia do të shqyrtojë mënyrën sesi do të marrë pjesë në vazhdimësi të këtij organizimi.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është themeluar më 1949. Kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë. Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme. Dy trupat kyçe të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Si votuan shtetet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Ukraina dhe Greqia mes vendeve që abstenuan! Delegacioni serb braktis sallën

Komiteti ministror i Këshillit të Europës ka marrë vendimin për t’ja paraqitur asamdblesë parlamentare të këtij institucioni kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Për këtë vendim votuan pro 33 përfaqësues të shteteve, shtatë ishin kundër (Serbia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Rumania, Qipro, Spanja dhe Hungaria), ndërsa pesë abstenuan (Greqia, Sllovakia, Moldavia, Ukraina dhe BeH).

Delegacioni serb u largua nga salla menjëherë pas votimit, me deklaratën se “Serbia do të shqyrtojë modelet e pjesëmarrjes së mëtejshme në organizim”.